Vendim: Kush merr në punë të rinj jetimë, përfiton 15 paga nga shteti

Të gjithë ata punëdhënës që punësojnë punëkërkues të papunë nën 30 vjeç me statusin e jetimit do të përfitojnë nga shteti 9 paga mujore, në masën 22 mijë lekë”. Gjithçka përcaktohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, që ka për qëllim nxitjen e punësimit të personave që i përkasin kësaj kategorie, ndërkohë që parashikohen edhe një sërë përfitimesh të tjera. Sipas VKM-së, për çdo të punësuar do të përfitohen edhe 6 paga, në masën 50% të pagës minimale që shkallë vendi, pra 11 mijë lekë.

Lajme

04/02/2016 08:45

Kushti për të përfituar është që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se 21 muaj. Gjithashtu, shteti do të paguajë në masën 100% kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 15-mujore, ndërsa parashikohet edhe financimi në masën 10 mijë lekë në muaj për trajnimin nëpërmjet punës, për çdo person të punësuar për një periudhë 3-mujore. Personat punë-kërkues të papunë, që kundërshtojnë ofertën e zyrës përkatëse të punësimit për pjesëmarrjen në formim do të hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.

Ndërkohë që, nëse punëdhënësi, në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme bën zgjidhje të kontratës së punës për punëmarrësin e trajnuar, është i detyruar ta kthejë të gjithë financimin e marrë për këtë person, që nga data e parë e dhënies së tij, së bashku me interesat e llogaritura sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Përfituesit
Sipas vendimit të qeverisë, punëdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë përfshirjen në këtë program deri në 50 për qind të numrit mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, ndërsa punëdhënësit e rinj kanë të drejtë të përfshihen në program deri në masën 40% të numrit të punonjësve të punësuar. Për të aplikuar dhe për të përfituar, ata duhet të kenë një trajnues për deri 15 kursantë, ndërkohë që duhet të paraqesin pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku zhvillojnë veprimtarinë një sërë dokumentesh, si: ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in), vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore, numrin e llogarisë bankare si dhe vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më shumë se për një periudhë kohore njëvjeçare nga çasti i aplikimit.

Personat të cilët kanë detyrime pranë organeve tatimore, por disponojnë marrëveshje për shlyerjen e tyre, duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm që e vërteton këtë status. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit, ndërkohë që është këshilli vendor trepalësh i ngritur pranë saj, që shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të projekteve të paraqitura dhe ? miraton ato në parim brenda një periudhe 10-ditore. Programi i nxitjes së punësimit të të rinjve që kanë fituar statusin e jetimit që do të zbatohet për një periudhë 5-vjeçare. /GSH