Vend me shumë universitete e pak punë

Me të diplomuar, shumë studentë, si ata nga universitetet publike apo private, dëshirojnë një vend pune. Por, fatin që të gjejnë punë në vendin tonë e ka vetëm një numër i vogël prej tyre. Kjo, sipas analistëve, ndodh si pasojë e mungesës së një strategjie për të shtuar numrin e studentëve në ato degë ku vendi ka potencial ekonomik për t’i punësuar.

Lajme

14/05/2014 19:06

Republika e Kosovës vazhdon të mbetet një vend me shumë të rinj të papunë. Edhe për kundër faktit që vendi numëron rreth nëntë universitete, përfshi universitetet publike dhe private, shumë të rinj përballen me papunësinë me të ardhur deri tek diploma.

Megjithëse pozita e atyre që kanë diplomuar nga arsimi i lartë është shumë më e mirë se e atyre që kanë diplomuar vetëm shkollimin e mesëm, eksperti i çështjes së arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë për lajmi.net se papunësia vazhdon të jetë e lartë. Kështu ai parasheh të jetë edhe pas qershorit, muajit ku shumë studentë diplomojnë.

“Sfida e çdo të diplomuari në Kosovë është punësimi. Sepse, lufta për vende pune vazhdon të jetë shumë sfiduese për këta të rinj dhe në raste të caktuara edhe shumë dekurajuese, ndërsa zhvillimi ekonomik nuk ka rrjedhë me dinamikën e caktuar”.

“Një pjesë të përgjegjësisë për këtë e bartin edhe institucionet e arsimit të lartë të cilat në të shumtën nuk ofrojnë cilësi të duhur të përgatitjes, prandaj edhe ndodhë që të diplomuarit nuk kanë shkathtësi të duhura për të kryer punë të caktuara”.

Sipas Pupovcit, disa nga profesionet janë më pak të kërkuara sot në tregun e punës se disa të tjera. Profesionet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, pastaj banka dhe financa, kërkohen më shumë në treg, thotë ai.

“Me një shpërputhje kaq të madhe në mes të numrit të diplomuarve dhe kërkesës së tregut është vështirë të krijohen vende pune për të gjithë të diplomuarit (sidomos në fakultetin Juridik dhe Ekonomik)”.

“Prandaj edhe shumë prej tyre janë të detyruar që të kryejnë punë krejtësisht të tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me shkollimin e tyre. Por që, shkollimi në një mënyrë ju ka dhënë një bazë të mjaftueshme që të inkuadrohen në një punë të tillë”, tha Pupovci.

Në anën tjetër, edhe Jonuz Salihaj, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se edhe këtë vit universitetet do të përballen me sfidën e papunësisë.

Sipas tij, nuk është zhvilluar ndonjë strategji për ta rritur numrin e studentëve aty ku Kosova ka potencialin ekonomik për t’i punësuar njerëzit.

“Askush nuk mërzitet se çfarë bëhet pas kryerjes së studimeve. Të rinjtë bredhin rrugëve dhe është shumë keq që një njeri me diplomë universitare, bile me një titull master, apo edhe me shkallë doktorate të jetë pa punë”.

“Kështu do të ndodhë deri sa nuk harmonizohet arsimi i lartë me tregun e punës”.

Salihaj thotë se universitetet duhet të prodhojnë më shumë të diplomuar në fusha ku Kosova ka resurse të mëdha që t’u ofrojë atyre punë.

“Kosova ka resurse të mëdha në energjetikë. Po ta shikoni numrin e studentëve në fakultetin e inxhinierisë elektrike, në drejtimin e energjetikës, ka shumë pak, ndërsa në elektronikë ka shumë, sikur të ishim Tajvan apo Shangai që ne nuk jemi”.

“Po ashtu, vetëm dy për qind e studentëve janë të orientuar në fakultetin e veterinës, bujqësisë, përpunimit të ushqimit ku Kosova ka potenciale të mëdha”.

“Në të gjitha ato fakultete ku Kosova ka resurse të mëdha, numri i studentëve është i vogël”, ka thënë ai për lajmi.net.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2013, shkalla e papunësisë te të rinjtë (mosha 15-24 vjeç) është 55.3 për qind.