Vëllai i Fatmir Limajt reagon pas kritikave për takimin me Kurtin: “Kur gënjeshtra bërtet me zë të lartë…”

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, pas kritikave që kanë pasuar takimin e fundit mes Limajt dhe kryeministrit Albin Kurti. Në një koment të ngarkuar emocionalisht, Demir Limaj u ka dhënë mbështetje publike vëllait të tij, duke e quajtur “udhëheqës të pathyeshëm në…

Lajme

22/07/2025 15:20

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, pas kritikave që kanë pasuar takimin e fundit mes Limajt dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në një koment të ngarkuar emocionalisht, Demir Limaj u ka dhënë mbështetje publike vëllait të tij, duke e quajtur “udhëheqës të pathyeshëm në kohë lufte dhe udhërrëfyes të urtë në paqe”. Ai ka nënvizuar se sulmet dhe shpifjet nuk e lëkundin një lider që ka kaluar stuhitë me nder, transmeton lajmi.net

“Kur gënjeshtra bërtet me zë të lartë, shpesh është nga frika e së vërtetës që flet në heshtje! Një lider i vërtetë nuk matet me thashetheme, por me gjurmët që lë në kohë… Fjalët e kota bien si shi mbi shkëmbin që nuk lëkundet,” ka shkruar ndër të tjera Limaj në postim.

Reagimi vjen pak ditë pasi Fatmir Limaj u pa në një takim me kryeministrin Albin Kurti – takim që nxiti reagime të shumta brenda dhe jashtë spektrit opozitar. Limaj u kritikua për atë që disa e panë si një hap drejt afrim-bashkëpunimi me Vetëvendosjen, pavarësisht qëndrimeve të mëhershme të Nismës ndaj Qeverisë Kurti.

Demir Limaj përmbyll reagimin me një mesazh të qartë për vëllain e tij: “Krenar përjetësisht me ty, vëlla!”

Postimi i plotë: 

Kur gënjeshtra bërtet me zë të lartë, shpesh është nga frika e së vërtetës që flet në heshtje!
Një lider i vërtetë nuk matet me thashetheme, por me gjurmët që lë në kohë, në luftë si udhëheqës i pathyeshëm, në paqe si udhërrëfyes i urtë.
Kur plumbi i armikut nuk ta theu shpirtin, zgjodhën fjalët për të të dobësuar.
Por ti ecën me kokën lart, si gjithmonë.
Fjalët e kota bien si shi mbi shkëmbin që nuk lëkundet ai që ka kaluar stuhitë me nder, nuk rrëzohet nga rrëmuja e shpifjeve.
Krenar përjetësisht me ty vëlla!/lajmi.net/