Veliu: Nuk kishte përplasje në mes të Mustafës e Haradinajt

Anëtari i Kryesisë së LDK-së Agim Veliu, i cili ishte pjesë e takimin mbrëmshëm mes liderëve të Bllokut në selinë e AAK-së, ka zbardhur detajet e këtij takimi. Veliu ka thënë se takimi ka kaluar në një frymë të mirë dhe pa përplasje mes liderëve politikë.

Lajme

15/11/2014 13:40

Veliu ka mohuar të ketë pasur ndonjë përplasje në mes të Isa Mustafës e Ramush Haradinajt në momentin kur Isa Mustafa ka shprehur kërkesën e LDK-së për rishqyrtim të marrëveshjes së 10 qershorit.

“Jo nuk ka pas kurrfarë përplasje mes Mustafës e Haradinajt. Ne kemi biseduar për vazhdimin e funksionimit të Bllokut në ditën në vijim. Jemi në biseda. Do të vazhdojmë t’i trajtojmë çështjet tona të brendshme dhe në momentin kur kemi diçka, do ta komunikojmë”, ka thënë Veliu për Botapress.

Sipas tij, ka pasur një mirëkuptim në takimin djeshëm nga Haradinaj për kërkesën e Mustafës për ndryshim të marrëveshjes së 10 qershorit.

“Hardinaj ka pasur mirëkuptim për kërkesën e z.Mustafa dhe për rrethanat e reja të krijuara ditëve të fundit dhe ka mbetur që ne t’i vazhdojmë bisedat në të ardhmen ”, tha ai.

Veliu tha se gjithçka rreth marrëveshjes do të dihet në dy ditët në vazhdim. /botapress/