Vela: ‘The Last Dance’ i Jordan më kujton Thierry Henry

Vela beson se Thierry Henry dhe Michael Jordan mund të kenë diçka të përbashkët.

Sport

21/05/2020 20:31

Ish anëtari i Arsenal, i cili tashmë aktivizohet në MLS, Carlos Vela, ka tërhequr një paralele mes Thierry Henry dhe Michael Jordan.

Seriali ‘The Last Dance’, i cili rrëfen historinë e jashtëzakonshme të Jordan drejt gjashtë titujve të kampionit, me një fokus të veçantë tek i fundit, duket se ka bërë që Vela të gjejë gjëra që i kujtojnë Henry.

“Sigurisht. Secilën të dielë unë isha aty. Gruaja ime nuk ishte e lumtur. Por, unë i thash se këto dy orë janë për mua”, ka thënë Vela, i pyetur nëse ka parë ‘The Last Dance’, transmeton lajmi.net.

Tutje, ai ka treguar se si narracioni i ‘The Last Dance’ për Michael Jordan bënte që ai të kujtonte ikonën e Arsenal, Thierry Henry.

“Thierry Henry ishte vërtetë një njeri që punonte shumë. Ai tentonte çdo ditë që të ishte më i miri dhe shtynte të gjithë të rinjt të punojnë më shumë, të jenë profesionistë, të provojnë të japin gjithçka, në secilën stërvitje”, ka shtuar meksikani.

“Ai do të thoshte: ‘Nëse stërviteni fort, mund të luani fort’. Henry ishte inspirim për mua dhe mund të shohësh karrierën që ai kishte. Jam krenar që kam luajtur me të. Ai është një lider i mirë”, ishin fjalët e Vela.

Një gjë e tillë shihej edhe te ‘The Last Dance’, me Michael Jordan që shtynte në maksimum shokët e skuadrës, madje edhe i ofendonte e i godiste, vetëm që ata të japin maksimumin. /Lajmi.net/