Vdes personi i dytë nga virusi misterioz në Kinë, dyshohet për qindra të infektuar

Shkencëtarët besojnë se numri i personave të infektuar me një virus të ri në Kinë është shumë më i madh sesa shifrat e paraqitura nga autoritetet. Deri më tash, dy persona kanë vdekur nga virusi misterioz.

Bota

18/01/2020 09:38

Në laborator janë konfirmuar 45 raste të infektimit, por ekspertët britanikë besojnë se tashmë rreth 1700 persona janë të infektuar. Rasti i parë me këtë virus u paraqit në dhjetor në qytetin Wuhan.

“Jam më i brengosur sesa kam qenë para një jave”, tha shkencëtari Neil Ferguson. Autoritetet në Singapor dhe Hong Kong janë duke i kontrolluar udhëtarët që vijnë nga ky qytet, ndërsa masa të ngjashme kanë paralajmëruar edhe Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse rasti i parë u paraqit në pjesën lindore të Kinës, dy raste të tjera tashmë janë regjistruar në Tajlandë dhe një tjetër në Japoni.

Sidoqoftë, zyrtarët kinezë kanë thënë se nuk ka pasur raste kur virusi është përhapur nga një person te tjetri. Sipas tyre, ky virus ka kaluar nga kafshët e infektuara te njerëzit në një treg në Wuhan.

Hulumtuesit kinezë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë arritur në përfundim se ky virus bën pjesë në grupin e të ashtuquajturve koronaviruseve. Te disa pacientë, ky virus ka shkaktuar pneumoni, shkruan “BBC”.