Vdekje të reja nga koronavirusi në Klinikën Infektive, autoritetet heshtin

Ka shkuar në 70 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë.

Lajme

05/07/2020 11:16

Që nga dita e djeshme e deri më sot në Klinikën Infektive raportohet se kanë vdekur 12 persona të cilët ishin të prekur me koronavirus, kështu duke e çuar në 70 numrin e përgjithshëm të viktimave nga COVID-19 në Kosovë, raporton lajmi.net.

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka rrethuar Klinikën Infektive të QKUK-së, ku po dyshohet se gjatë natës kanë ndërruar jetë edhe 4 persona të cilët ishin të prekur me koronavirus.

Në këtë klinikë përveç numrit të madh të policëve, janë parë edhe përfaqësues të Mjekësisë Ligjore dhe prokurorisë.

Mirëpo, pavarësisht situatës dramatike të krijuar në Klinikën Infektive, askush nga autoritetet shëndetësore nuk ka dhënë ndonjë sqarim apo ndonjë deklaratë se çfarë është duke ndodhur.

Vajza e një 70-vjeçari që ka ndërruar jetë në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm, deklaroi para medieve, se dyshojnë që babai i tyre ka vdekur për shkak të mungesës së oksigjenit.

Lexo edhe: 

Vdes një 70-vjeçar nga koronavirusi, vajza e tij thotë që nuk i dhanë oksigjen

Theksojmë se edhe vdekjet e ditës së djeshme e edhe këto të sotme ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk ka reaguar fare, përderisa kryeministri Avdullah Hoti, e ka thirru një mbledhje me krerët shëndetësor, mbledhje kjo që pritet të mbahet sot në ora 13:00.

Lajmi.net, që nga mëngjesi ka bërë përpjekje që të marrë ndonjë sqarim nga QKUK-ja, Klinika Infektive dhe nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Theksojmë se në medie është duke u raportuar se dyshohet se katër viktimat e ditës së sotme kanë vdekur në Klinikën Infektive për shkak se mbrëmë pas mesnatës ka pas ndërprerje të oksigjenit qendror. /Lajmi.net/