Vdekja e Bob Dole, Meta: Jam pranë familjes së tij dhe popullit amerikan

Presidenti i Shqipërisë, llir Meta, ka thënë se është i pikëlluar thellësisht me vdekjen e ish-senatorit amerikan, Bob Dole.

Bota

05/12/2021 23:41

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Dole kishte rol kontribues për avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë.

“Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole. Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre”.

“Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës. Jam pranë familjes së tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar!,” ka thënë Meta.