Vazhdon shakaja me rrugën për Mitrovicë, Ministria tregon pse e anuloi kontratën e rrugës që nisi para 14 vitesh

Edhe pse prej shumë kohësh është kërkuar që të mundësohet qarkullim më i mirë përgjatë rrugës Prishtinë-Mitrovicë, një gjë e tillë nuk po bëhet ende. Të gjithë ata që duhet të kalojnë përgjatë kësaj rruge do të përballen ende me problemet e shumta që po i shfaq kjo rrugë. Kjo sepse, Ministria e Mjedisit, Planifikimit…

Lajme

09/02/2023 11:56

Edhe pse prej shumë kohësh është kërkuar që të mundësohet qarkullim më i mirë përgjatë rrugës Prishtinë-Mitrovicë, një gjë e tillë nuk po bëhet ende.

Të gjithë ata që duhet të kalojnë përgjatë kësaj rruge do të përballen ende me problemet e shumta që po i shfaq kjo rrugë.

Kjo sepse, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës ka konfirmuar se është anuluar kontrata për rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

Në një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës të dhënë për lajmi.net është theksuar se shkëputja e kontratës është bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast thonë se punëdhënësi nuk ka përmbushur obligimet.

“Shkëputja e kontratës është bërë bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast punëdhënësi, përkitazi autoriteti kontraktues (MMPHI) dhe financuesit – bankat ndërkombëtare (SFD dhe OFID) pas shumë tentativave dhe takimeve me Kontraktorin për të gjetur zgjidhje dhe të tejkalojnë sfidat me të cilat përballeshin, Kontraktori “Pevlaku & Patishta”, nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij të përcaktuara në Minutat e Takimit”,thuhet në përgjigjen e MI-së.

Po ashtu është theksuar se në kuadër të mospërmbushjes së këtyre obligimeve ishte dhe  “klauzola që kishin rënë dakord dhe nënshkruar më 23 Nëntor 2021, nenet e “Aneks Marrëveshjes së Kontratës” me numër MI. 10598, të nënshkruar më 23 dhjetor 2021, si dhe legalizimin e nën-kontraktorit ilegal të angazhuar që nuk lejohet sipas kontratave ndërkombëtare që janë të bazuara në FIDIC”.

Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë, është prej projekteve që duket se nuk ka fund.

Për shumë vjet, qytetarët që shfrytëzojnë këtë rrugë ankohen për mosfunksionalizim e saj. Kryeministrat, me radhë, kanë premtuar se do ta përfundojnë këtë rrugë. Edhe Kryeministri i tanishëm Albin Kurti. Megjithatë, njoftimet e vetme së fundmi për këtë rrugë, janë kur aty ndalen punimet.

Ndryshime punimet në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë ishin ndaluar disa herë. Eskavatorët e kompanisë përgjegjëse pati raste kur nuk u ndezën fare, e as punëtorët nuk dolën në punishte.

E gjithë kjo pasi pronarët e kompanisë kishin marrë vendim për të ndërprerë punën. Madje të njëjtit kishin deklaruar se Ministria u kishte mbetur borxh, e si pasojë ishin ndalur punimet.

Drejtori i kompanisë pati theksuar se ishin pikërisht investitorët që u mbetën borxh atyre, e që sipas tij vlera e punimeve prej nëntorit që s’kishin marrë paratë ishte mbi pesë milionë euro.

Projekti i rrugës Prishtinë-Podujevë ka filluar 14 vjet më parë, por ky projekt ka dështuar të finalizohet. Qytetarët të cilëve iu duhet të kalojnë në këtë rrugë në relacione tepër të shpeshta, kanë vazhduar të ankohen vazhdimisht për shkak të kolonave, dëmeve në vetura e shumë problemeve të tjera të cilat iu janë shfaqur tash e sa vite.

Madje si shkak i kësaj rruge, të shumta kanë qenë edhe aksidentet e trafikut, shumë prej tyre me fatalitet.

Rruga në fjalë ishte problematike edhe deri në momentin e shpronësimit, por pavarësisht zgjidhjes së kësaj, sërish qytetarëve do t’iu duhet të presin për vite me radhë që të kenë një qarkullim normal në këtë anë./Lajmi.net/