Vazhdon përleshja e armatosur në Kumanovë, policia maqedonase evakuon banorët nga zona (Video)

Policia maqedonase ka publikuar pamje nga evakuimi i banorëve në zonën ku po zhvillohet përleshja e armatosur në mes të policisë dhe personave të armatosur.

Lajme

09/05/2015 18:45

Përleshja e armatosur që ka filluar në mëngjesin e sotëm në mes të forcave policore dhe një grupi të armatosur që veten e identifikojnë si UÇK, po vazhdon ende.

Mediat në Maqedoni raportojnë për vazhdim të të shtënave, transmeton lajmi.net.

Qasja në Lagjen e Trimave raportohet të jetë e mbyllur për të gjitha palët, përveç policisë dhe ambulancave.

Deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për numrin e të plagosurve apo viktimave, edhe pse Ambasada Amerikane përmes një deklarate ka shprehur keqardhje për të vdekurit.

Jozyrtarisht thuhet për 20 të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ndërsa në Qendrën Klinike në Shkup ku po trajtohen të plagosurit, është hyrja për mediat, ku policë të armatosur po bëjnë roje.

Ndërsa, nga Spitali i Kumanovës, deri tani është konfirmuar për vetëm katër të plagosur, të cilët janë transferuar për në Shkup.

Ministria e Brendshme në faqen e saj në internet ka postuar një video ku shihet evakuimi i banorëve nga Lagja e Trimave në Kumanovë. Në anën tjetër, mediat shqiptare raportojnë se evakuimi po lejohet vetëm për banorët femra të kësaj lagje, gjë që rrit frikën se në këtë operacion policor mund të pësojnë civil të pafajshëm. (lajmi.net)

YouTube player