Vazhdon mbyllja e Qeverisë në SHBA

As më 6 janar nuk është arritur ndonjë pikë kyçe në Uashington, teksa negociatorët kongresionalë dhe zyrtarët e administratës kanë bërë përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje, ashtu që t’i japin fund mbylljes së Qeverisë amerikane.

Bota

07/01/2019 09:43

Presidenti amerikan, Donald Trump ka vazhduar të kërkojë 5.6 miliardë dollarë për murin që do të ndante Shtetet e Bashkuara me Meksikën.

Presidenti amerikan e ka arsyetuar këtë projekt si ndalesë për imigrimin ilegal dhe trafikimin e drogës.

Demokratët, që kanë fituar Dhomën e Përfaqësuesve kundërshtojnë ashpër ndërtimin e murit, duke thënë se është metodë e pamoralshme për t’u përballur me imigrimin dhe çështjet e drogës.

Derisa mbyllja e Qeverisë ka hyrë në javën e tretë, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se ajo synon të miratojë projektligje individuale për të hapur disa agjenci, duke nisur nga Departamenti i Thesarit, transmeton rel.

Mirëpo pavarësisht miratimit të projektligjeve nga demokratët, ato patjetër duhet të miratohen edhe nga Senati i kontrolluar prej republikanëve.

Meqë pakënaqësitë për murin janë shpërfaqur edhe në mesin e disa republikanëve, Trump ka thënë se shpreson në zhvillimin e “bisedimeve serioze” më 7,8, dhe 9 janar, ndonëse ka treguar se nuk do të heqë dorë nga fondet për murin.