Vazhdon greva e mbi 300 punëtorëve të UP-së
Këshilli grevist i punëtorëve të UP’së ka bërë me dije se grevës i janë bashkuar mbi 300 punëtorë të cilët nuk janë të kënaqur me pagat e tyre. Shaban Dulahu ka thënë se nëse nuk plotësohet kërkesat e tyre, greva mund të përshkallëzohet.

Lajme
Këshilli grevist i punëtorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka bërë të ditur se deri më tani grevës së punëtorëve të administratës, u ajën bashkuar më shumë se 300 punëtorë, të cilët nuk janë të kënaqur me pagat dhe statusin e tyre, raporton Kosovapress.
Shaban Dulahu, zyrtar i lartë për studime pasdiplomike në Fakultetin Juridik, ka thënë se greva ka filluar si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve të UP-së ndaj këtyre punëtorëve, derisa ka shtuar se këtë grevë e kanë përkrahur shumë punëtorë.
“Nga data 19 mars 2014 punëtorët e administratës të njësive akademike në kuadër të UP-së kanë marrë vendim të hyjnë në grevë të përgjithshme e cila në fillimin e saj rezulton me moskryerjen e punëve të përditshme administrative dhe varësisht nga rrjedha e situatës ajo mund të zgjerohet dhe të aplikohen edhe forma të tjera të revoltës e cila është pasojë e një hegjemonie e cila është manifestuar ndaj strukturave të punëtorëve të administratës në kuadër të njësive akademike duke qenë të diferencuar nga pjesa e administratës qendrore të UP-së”.
Shaban Dulahu ka thënë se varësisht nga reagimet e menaxhmenti të UP-së, greva edhe mund të përshkallëzohet.
“Varësisht nga përgjigjet e subjektit juridik, UP-së në të cilin jemi integruar në vitin 2001 në mënyrë të pavullnetshme, do ta shohim reagimin e tyre dhe më pastaj kërkesat tona do të radikalizohen edhe më ndryshe”.
“Një nga format do të jetë dezintegrimi i administratës dhe ato të jenë subjekte juridike”,
Ndërkaq, Dulahu ka thënë se ishte e pritshme që kryetarii i Sindikatës së Administratës së UP-së, Bardh Bardhi , të mos përkrahë grevën sepse sipas tij atij nuk i konvenon një grevë e tillë.
“Pas vendimit tonë për fillimin e grevës është prononcuar kundër saj i vetë zgjedhuri kryetar i sindikatës së më lartë cekur, i cili në reagimin e tij në media nuk e përkrah grevën tonë. Aspak nuk jemi të befasuar me qëndrimin e atij kryetari ngase ai është i vet zgjedhur dhe aktiviteti i tij është i orientuar vetëm që ta keqpërdor anëtarësinë sindikale të po kësaj strukture e cila ndodhet në grevë. Tani e tutje ne do të shtrojmë kërkesën objektive për arsyeshmërinë e mjeteve nga anëtarësia e grumbulluar se ku kryetari Bardh Bardhi i ka orientuar ato mjete për të cilat ne nga sot kërkojmë llogari dhe do të sensibilizojmë organet e policisë për krime ekonomike dhe korrupsion dhe Prokurorinë”.
Këshilli grevist e ka akuzuar kryesinë e Sindikatës se marrin paga deri në 1600 euro në muaj dhe se nuk janë zgjedhur në mënyrë legjitime në pozitat që i mbajnë.
Grevën e punëtorëve të administratës e ka mbështetur publikisht edhe organizata Lista Studentore Reforma dhe Këshilli i Studentëve të Fakultetit Filozofik, raporton Kosovapress.