Vazhdon gjykimi i të akuzuarve për kontrabandim të migrantëve drejt BE-së për 5 mijë euro

Në seancën ndaj të akuzuarve për krim të organizuar për kontrabandimin e shtetasve të Kosovës është veçuar procedura ndaj Florina Ferizit.

Lajme

13/06/2018 23:41

Gjykata mori këtë vendim me qëllim që të mos prolongohet procedura, meqenëse e akuzuara Ferizi nuk mund të ishte prezente për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Gjatë seancës janë dëgjuar disa dëshmitarë, të cilët kryesisht u morën në pyetje për të akuzuarin Sylë Krasniqi.

Dëshmitari Idriz Binaku tha se djali i tij është i martuar me motrën e të akuzuarit Sylë Krasniqi.

I pyetur nga prokurori special, Faik Halili, se a ka biseduar me të akuzuarin Hoxha për të shkuar jashtë vendit, i njëjti tha se vetëm ka kërkuar nga Syla të dijë procedurën se si duhet shkuar deri në Angli.

Ndonëse dëshmitari tha se nuk i kujtohet deklarata e dhënë më parë, prokurori Halili e ballafaqoi me një përgjigje të tij.

“Po më kujtohet se kur përmendet Xhavitin aty bëhet fjalë për Xhavit Krasniqin, vëllain e Sylës, ai punon në Angli e unë e kam lutur Xhavitin që të ma sigurojë një vizë. Është e vërtetë që Sylës ia kam dërguar 1.500 euro, ashtu siç i kam kërkuar, mirëpo, meqenëse Syla e ka nxjerrë vetëm një dokument dhe tjerat nuk ka mujtë, ai m’i ka kthyer nëse nuk gaboj vetëm 800 euro”, ishte citati i lexuar nga ana e prokurorit nga deklarata e dhënë më parë nga dëshmitari.

Mirëpo, dëshmitari tha se një përgjigje e tillë nuk i kujtohet.

Pas tij, në sallë të Gjykatës u dëgjua dëshmitari Shahid Rafshi. Ai tha se nga i akuzuari Sylë Krasniqi njëherë ka kërkuar që t’ ia bëjë një tabelë të veturës.

“Në atë kohe më ka hupë tabela në pjesën e pasme. Kam kontaktuar Sylën në numër të telefonit dhe të njëjtit i kam thënë me m’i përshkru vetëm ata numra. Nuk kam pasë regjistrim atëherë dhe kam qenë me qira, një djalë të smutë prej epilepsisë. Nga Syla kam kërkuar me ma bo përshkrimin e numrave të tabelës sikurse e para”, u përgjigj dëshmitari.

“2-3 ditë kam pritë për tabelë. Kam paguar 15 euro për atë shërbim, s’e kam paguar sepse i ka ngatërruar shkronjat në tabelë”, vazhdoi dëshmitari.

I pyetur se a është në dijeni se rregullimi i tabelës në atë mënyrë nuk është i ligjshëm, dëshmitari u përgjigj me “jo”.

Ndërkaq, dëshmitari Avdi Dakaj, në fillim të dëshmisë deklaroi se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë më parë.

I pyetur nga prokurori se a njihet me të akuzuarin Sylë Krasniqi, i njëjti tha se e njeh vetëm si figurë.

Por, prokurori e ballafaqoi me deklaratën e tij përmes së cilës dëshmitari Dakaj kishte deklaruar se më herët ka punuar te babai dhe vëllezërit e Sylës.

Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit Asllan Kuqi, dëshmitari tha se Kuqi ia ka mirëmbajtur reklamat e biznesit të tij.

Në fund, dëshmitari deklaroi se ai ka qenë në Gjermani “në të zezën”.

Në gjykatore të ftuar ishin edhe dëshmitarët Ahmet e Dëfrim Elshani, mirëpo meqë në sallë të Gjykatës u konstatua se të njëjtit nuk ishin të propozuar nga ana e Prokurorisë në aktakuzë, atëherë të njëjtit u liruan, derisa prokurori do të mund të propozojë plotësim të procedurës së provave e t’i ftojë ata në seancat e radhës.

Në këtë rast, për krim të organizuar akuzohen Asllan Kuqi, Sylë Krasniqi, Bekim Karaxha, Haxhi Gashi dhe Rexhë Kolgeci.

Florina Ferizi po akuzohet për kontrabandim për emigrantë në tentativë si dhe Kujtim Maliqaj për falsifikim të dokumentit.

Ndërsa Asllan Kuqi dhe Sylë Krasniqi po akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, në periudhën janar 2012 deri në shtator 2013, duke vepruar në kuadër te grupit të organizuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, të akuzuarit janë marrë me kontrabandim të shtetasve të Kosovës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Sylë Krasniqi qoftë vetë ose përmes të pandehurve të tjerë, ka dërguar rreth 40 emigrantë për në shtetet e BE-së duke u marrë nga rreth 5.000 euro secilit.

Për t’i bartur emigrantët në mënyrë ilegale në shtetet e BE-së, aktakuza thotë se të akuzuarit kishin shfrytëzuar ndihmën e personave tjerë në Serbi. Në mesin e tyre, aktakuza i përmend dy persona me emrat Goran dhe Dragan.

Prej Serbisë, emigrantët ishin dërguar në Hungari, shteti anëtar i Bashkimit Europian me të cilin kufizohet Serbia.

Aktakuza përshkruan se Sylë Krasniqi u kishte falsifikuar dokumentet dy prej qytetarëve të cilët do t’i bartte drejt Serbisë për të kaluar në Hungari. Sipas aktakuzës, personi i cili i kishte rregulluar këto dokumente ishte i pandehuri Asllan Kuqi.

Aktakuza gjithashtu thotë se i pandehuri Haxhi Gashi, si anëtar i grupi kriminal, ka pritur emigrantët në lokalin “501” në Suharekë dhe ka bërë transferimin e parave, përderisa i pandehuri tjetër Bekim Karaxha kishte gjetur emigrantët të cilët janë të interesuar të dalin jashtë Kosovës në mënyrë ilegale.

Aktakuza e ngarkon edhe Rexhë Kolgecin që në bashkëpunim me Sylë Krasniqin apo persona tjerë, kanë bërë kontrabandimin e emigrantëve në shtetet e BE-së.

Për të pandehurën Florina Ferizi, Prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëpunim me të pandehurin Bekim Karaxha kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me emigrantë në tentativë.

Aktakuza thotë gjithashtu se i pandehuri Asllan Kuqi ka bërë falsifikime te dokumenteve me qëllim të përdorimit të tyre, ndërsa i pandehuri Kujtim Maliqaj akuzohet se e ka falsifikuar pasaportën në emër të tij./Kallxo.com/