Vazhdon dhuna në futbollin shqiptar, goditen me gurë portieri dhe fizioterapisti i klubit

Tomori ka fituar në një transfertë mjaft të vështirë si ajo e Delvinës dhe është shumë pranë ngjitjes në Kategorinë e Parë. Në tri javët e mbetura, beratasve u mjaftojnë dy fitore për ta parë veten një kategori më lart.

Sport

06/07/2020 21:48

NDESHJA – Fraksioni i parë ka qenë i ekuilibruar, me dyluftime të shumta. Kronika e rasteve është e varfër për vendësit, ndërsa beratasit janë parë shumë të kujdesshëm, duke e bazuar lojën nga krahët. Tomori ka rrezikuar me Dobrën dhe Kopaçin, të cilët nuk ia kanë dalë përballë portierit Sallari. Pjesa e dytë e ndeshjes ka pasur shumë tension. Në të 60-ën Kopaçi pengohet në zonë dhe fiton një 11- metërsh që ekzekutohet nga kapiteni Karamani, topi grushtohet nga portieri dhe Isufi tregohet i vëmendshëm, duke e kaluar Tomorin në avantazh. Beratasit kërkojnë të ruajnë avantazhin, ndërsa vendësit hidhen në sulm për golin e barazimit.

GURËT – Tifozët vendës, të irrituar fillojnë të hedhin gurë dhe tulla në fushë nga jashtë stadiumit. Në minutën e 77-të goditet portieri Shumeli dhe loja ndërpritet, në fushë futet fizioterapisti Elton Fani, i cili goditet në shpinë me tullë.

Situata del jashtë kontrollit dhe trajneri Mile nuk kryen dot zëvendësimet e planifikuara, pasi tre futbollistët beratas kishin frikë të qëndronin anës fushës nga goditjet me gurë të tifozëve. Jepet shtesë mbi shtesë, por edhe kjo nuk i ka ndihmuar vendësit të barazojnë. Futbollistët beratas bëjnë qëndresë dhe nuk lëshojnë në lojë. Në fund të saj, Daullexhiu realizon edhe golin e dytë. Pas këtij goli tifozët vendës tulaten.

MILE – Pas ndeshjes, forcat e rendit kanë marrë në mbrojtje skuadrën e Tomorit dhe zyrtarët e ndeshjes. Trajneri Kristaq Mile për “Panorama Sport” u shpreh: “Është një fitore e rëndësishme në një fushë të vështirë. Për mua dhe skuadrën gjithçka përfundon në ndeshjen që do të na zyrtarizojë si fitues të grupit.

Tensioni? Mendoj se ajo që ndodhi nuk klasifikohet si dhunë. Ishin disa kalamaj jashtë stadiumit që e shkaktuan dhe kaq. Shumeli u dëmtua dhe fizioterapisti u godit me gur kur po shkonte t’i jepte ndihmë atij. E thashë, ishin disa kalamaj që qëlluan me gurë nga jashtë stadiumit. Kur u godit Fani, gjyqtari kryesor komunikoi me policinë, duke paralajmëruar se do ta ndërpriste ndeshjen”. Trajneri i Tomorit ka dashur të zbutë sadopak ngjarjen. /Panorama