Vazhdojnë protestat në Shkup, sonte para Parlamentit

Mijëra protestues janë tubuar sot sërish para Parlamentit të Maqedonisë në Shkup, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Qeverisë.

Lajme

07/05/2015 20:18

Turmat e protestuesve po bëjnë thirrje për dorëheqjen e Qeverisë dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. Forca të mëdha policore janë në të gjitha anët e Parlamentit.

Protestuesit kryesisht janë të rinj, kurse bëhet e ditur edhe për prani të grupeve të tifozëve të klubeve sportive.

Protestuesit nuk u lejuan të protestojnë edhe para Prokurorisë Publike dhe pas kësaj turmat i nisën drejt ndërtesës së Parlamentit. Ata atje u pritën nga një numër i madh forcash policore.

Uranija Pirovska, nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, kërkoi që të lejohet e drejta e tyre për protestë, duke thënë se kjo garantohet me Kushtetutë. Ajo lexoi para policëve edhe pjesë të aktit  më të lartë ligjor të vendit, por megjithëkëtë policia nuk e lejoi ndalimin e turmave protestuese.

Protestuesit po vazhdojnë brohoritjet për dorëheqjen e Qeverisë me thirrjet “Gruevski ik”, “Jankullovska ik”, “Duam hetime për gazetarin Mlladenov” etj. (INA)