Vazhdojnë protestat në Ferguson, premtohen “ndryshime operacionale” nga policia

Përleshjet në mes të policisë amerikane dhe protestuesve në qytetin Ferguson të Missourit tashmë kanë hyrë në ditën e katërt. 

Bota

14/08/2014 21:51

Protesta nisi pasi që i riu 18 vjeçar afroamerikan, Michael Brown, u vra nga policia. Guvernatori i Missourit, Jay Nixon ka thënë se protestat në Ferguson janë “jashtëzakonisht sfiduese” dhe ka premtuar se do të “ketë ndërrime operacionale” në polici për të qetësuar situatën.

18 vjeçari, sipas dëshmitarëve okularë, ishte qëlluar nga policia disa herë, përderisa ai ishte i pa armatosur. Por, policia ka thënë se ai është vrarë pas një përleshjeje me ta dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

Por, ky incident ka bërë që komuniteti i njerëzve me ngjyrë të shpreh zemërimin e vet ndaj policëve që janë të racës së bardhë.

Edhe presidenti Barack Obama të mërkuren kishte bërë thirrje që protestuesit të qetësohen dhe të ndërpritet dhuna në Ferguson. 

Obama u ka kërkuar autoriteteve që të bejnë hetime të duhura dhe transparente.

“Tani është koha për qetësi. Tani është koha për paqe dhe qetësi në rrugët e Ferguson”, u tha Obama gazetarëve në Martha’s Vineyard, ku është duke bërë pushime me familjen e tij.

Obama ka thënë po ashtu se i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm që të raportojë për rastin në ditët në vijim.

Raportohet se protestat kanë qenë të dhunshme dhe policia ka arrestuar 47 pjesëmarrës të protesave.  

Zyrtarët policorë kanë supsenduar policin i cili e ka qëlluar të riun Brown, por kanë refuzuar ta zbulojnë identitetin e tij.