Vazhdojnë luftimet në Ukrainë, mbi 5000 të vrarë që prej prillit

Gjashtëmbëdhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë 24 orëve të fundit në hapësirën e luftimeve në Ukrainë, në rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk.

Bota

03/02/2015 15:16

Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se vazhdojnë përleshjet e ashpra me kryengritësit pro-rusë pranë qytetit strategjik të Debaltseve në lindje të Donetskut, ku edhe janë shënuar viktimat e fundit.

Ndërkohë, të martën, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Zeid Raad Al Hussein, ka thënë se numri i të vdekurve në konfliktin në Ukrainën lindore tejkalon shifrën prej 5 mijë e 350 personash, ndërsa iu ka bërë thirrje palëve që t’i ndalin luftimet.

Përmes një deklarate të lëshuar sot, Al Hussein, ka thënë se së paku 224 civilë janë vrarë dhe 545 të tjerë janë plagosur vetëm gjatë luftimeve të tri javëve të fundit.

Sipas tij, përveç 5359 të vrarëve gjatë konfliktit të nxitur nga Rusia, e që ka nisur që nga prilli i vitit të kaluar, janë plagosur edhe 12 mijë e 235 persona.

Çdo përshkallëzim i mëtejmë i situatës, sipas Hussein, mund të provokojë katastrofë për mbi pesë milionë qytetarët që jetojnë në lindje të Ukrainës, në dy rajonet me popullsi të përzier, ku pro-rusët po luftojnë që t’i bashkëngjiten Rusisë.

Përpara fillimit të konfliktit në Donetsk dhe Luhansk, Krime, një gadishull i Ukrainës, shpalli pavarësinë dhe iu bashkëngjit Rusisë. Aneksimi i saj nga Moska zyrtare çoi në tensionimin e raporteve mes Perëndimit dhe Rusisë, raporte këto që vazhdojnë të acarohen përditë e më shumë.

Javën e kaluar Perëndimi vendosi sanksione të reja kundër Rusisë, por presidenti rus, Vladimir Putin, i quajti ato të padrejta, dhe duke ua bërë me dije rusëve që të përgatiten për ditë të vështira, indirekt bëri edhe me dije se nuk e ka ndërmend të ndryshojë politikën ekspansioniste ndaj fqinjit, Ukrainës. /lajmi.net/