Vazhdojnë hetimet ndaj 135 kosovarëve të dyshuar për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të akuzojë një grup të madh kosovarësh për vepra penale që lidhen me terrorizmin, ka bërë të ditur Prokuroria, shkruan sot Koha Ditore.

Lajme

18/04/2015 08:08

Shumica prej tyre të arrestuar shtatorin e vitit të kaluar pretendohet se kanë qenë në Siri apo kanë rekrutuar njerëz për llogari të organizatave terroriste, ISIS dhe “Al Nusra”.

Ndërkohë 135 kosovarë janë të dyshuar, të akuzuar apo nën hetime për vepra që lidhen me terrorizmin. Deri tash janë ngritur disa aktakuza, përfshirë ato kundër imamëve të xhamive të cilët besohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të të rinjve.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë për “Kohën Ditore” se prej vitit 2013, prokurorët e kësaj prokurorie kanë filluar hetimet ndaj 135 personave. Vetëm kundër njërit prej tyre kanë pushuar hetimet për vepër penale që ndërlidhet me terrorizmin, derisa një person tjetër është akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje.