Vazhdojnë dilemat për aksionin policor në Lagjen e Trimave

Dy muaj e gjysmë pas aksionit policor në lagjen e trimave në Kumanovë vazhdojnë dilemat dhe pyetjet e shumta çka në të vërtet ndodhi më 9 maj.

Lajme

26/07/2015 17:40

Këto dilema tanimë kanë filluar t’i ndajnë me opinionin edhe pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë pjesë e këtij aksionit.

Duke mos zbuluar identitetin e tij, një pjesëtar i njësitit special ‘Tigrat’ përmes një letre ka bërë të ditur se ish ministren e brendshme Jankullovska, në mënyrë brutale e kanë larguar nga spitali gjatë vizitës që ajo i kishte bërë pjesëtarëve të plagosur të policisë dhe se pikërisht atë e konsiderojnë fajtore për bilancin e viktimave në Kumanovë, shkruan Alsat M.

“Pas çdo aksioni kemi bërë analizë çfarë ka ndodhur, por pas këtij në Kumanovë komandanti ynë Sllavço Petrushevski po heshtë. Gojë ka, gjuhë nuk ka”.

“Po presim diçka, nuk e dimë çka po presim. Para çdo aksioni përgatisnim plan ndërsa para këtij në Kumanovë nuk kishte plan, vetëm na mblodhën dhe na futën në aksion”.

“Veçanërisht dhemb fakti se Jankullovska dokumentin e fundit që e ka firmosur si ministre, trajtohet si sekret shtetëror dhe ka të bëjë me shpërblimin e personave të njohur e pa njohur në këtë aksion”.

“Sekret është ky dokument, që mos të shihet çfarë fundërrinash janë shpërblyer me nga 10 mijë euro. Përveç këtij dokumenti, neve pjesëtarëve të forcave speciale ‘Tigrat’ na intereson edhe një dokument tjetër. Urdhri për aksionin në Kumanovë”.

“Kush e ka firmosur dhe çka ka parashikuar në analizën e rrezikut? Çfarë ka parashikuar e çfarë ka ndodhur? Ai për këtë duhet të përgjigjet para nesh dhe para opinionit”.

“8 familje presin përgjigje. Bilanci 8 të vrarë, 37 të plagosur, 5 invalidë të përjetshëm”.

Edhe dy aksione të këtilla në regji të këtyre diletantëve dhe Maqedonia nuk do të ketë forca speciale”, shkruan pjesëtari i tigrave në letrën e tij anonime.

Aksioni në Kumanovë vazhdon të mbetet pezull, kush e organizoi dhe kush në të vërtet qëndron pas gjithë kësaj që ndodhi. Të premten për herë të parë rreth aksionit u prononcua edhe prokuroria publike e cila bëri të ditur se me asistencë ndërkombëtare pas me shumë se dy muaj ka grumbulluar dëshmitë për rastin e konfliktit të Kumanovës që ndodhi më 9 dhe 10 maj në lagjen e trimave.