Vazhdojnë akuzat e “korierit” ndaj drejtuesve të Teatrit Kombëtar

Një email anonim është drejtuar në adresë të medieve për herë të dytë. Edhe kësaj radhe, “[email protected]”, ka lëshuar akuza ndaj ish-drejtuesve dhe drejtuesve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Lajme

24/03/2016 14:58

Sipas këtij email anonim, grupet e interesit dhe klanet mafioze, brejtëse të ashtit të Teatrit Kombëtar të Kosovës jo që nuk kanë të ndalur, por janë në kulmin e lulëzimit.

“Si duket karrigia e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës është e mallkuar ose dikush i ka bërë magji dhe drejtorët sa ulen në të ‘abrraka dabrra’, shndërrohen në servil”, thuhet në këtë letër.

“Korieri” ka akuzuar ish-drejtoreshën e TKK-së, Burbuqe Berisha, për të cilën thuhet se njihet për vjedhje me letra çelë.

“Në kohën sa ajo ishte drejtoreshë, dashnorët, simpatitë e ‘haverat’ e saj, brenda një mandati katër vjeçar ishin shpërblyer me kontrata permanente  që arrinin shumën hiq ma pak se 36 mijë euro. Haveri i saj kompozitori Trimor Dhomi, për një projekt paguhej 5 mijë euro aq sa paguhej edhe regjisori. Gjatë kohës së sundimit të Teatrit Kombëtar nga  Buçja,  Teatri Kombëtarë i Kosovës kishte projekte me buxhet deri në 80 mijë euro. Dhe ishin shumë në modë këmbimet e projekteve me projekte. Një regji në TKK kompensohej me dy regji të Buqes jasht TKK-së. Aktorët e jashtëm zakonisht  paguheshin 5 mijë euro, kjo patë ndikuar që shumica e aktorëve ‘biznesmenë të artit’ të japin dorëheqje nga ansambli rezident”, thuhet në këtë email.

“Atë botë drejtori aktual i TKK-së Agim Sopi për shfaqjen e tij “Dosja H” e patë akuzuar Buçen jo vetëm për sabotim ndaj shfaqjes së tij por edhe për fryrje të buxhetit total nga 36 mijë euro sa ishin shpenzuar për realizimin e shfaqjes në 64 mijë euro”, vazhdon “korieri” më tej.

Ja letra e plotë e “korierit”:

Grupet e interesit dhe klanet mafioze, brejtëse të ashtit të Teatrit Kombëtar të Kosovës jo që nuk kanë të ndalur, por janë në kulmin e lulëzimit.  Si duket karrikja e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës është e mallkuar ose dikush i ka bërë magji dhe drejtorët sa ulen në të abrraka dabrra, shndërrohen në servil.

Drejtoresha e famshme Burbuqe Berisha me nofkën “Buçja”  njihet për vjedhje me letra çelë. Në kohën sa ajo ishte drejtoreshë, dashnorët, simpatitë e haverat e saj, brenda një mandati katër vjeçar ishin shpërblyer me kontrata permanente  që arrinin shumën hiq ma pak se 36 mijë euro. Haveri i saj kompozitori Trimor Dhomi, për një projekt paguhej 5 mijë euro aq sa paguhej edhe regjisori. Gjatë kohës së sundimit të Teatrit Kombëtar nga  Buçja,  Teatri Kombëtarë i Kosovës kishte projekte me buxhet deri në 80 mijë euro. Dhe ishin shumë në modë këmbimet e projekteve me projekte. Një regji në TKK kompensohej me dy regji të Buqes jasht TKK-së. Aktorët e jashtëm zakonisht  paguheshin 5 mijë euro, kjo patë ndikuar që shumica e aktorëve “biznesmenë të artit” të japin dorëheqje nga ansambli rezident. Atë botë drejtori aktual i TKK-së Agim Sopi për shfaqjen e tij “Dosja H” e patë akuzuar Buçen jo vetëm për sabotim ndaj shfaqjes së tij por edhe për fryrje të buxhetit total nga 36 mijë euro sa ishin shpenzuar për realizimin e shfaqjes në 64 mijë euro. Bile “Dr. Gima” pat dhënë edhe një intervistë për  “Jeta në Kosovë” ku pikë për pikë rrëfente për vjedhjen me letra qelë, nga ana e Buçes në projektin e shfaqjes ” Dosja H”. Por kjo intervistë u incizua dhe u fut në dhe. Kurrë nuk u shfaq nga ana realizatorët e emisionit ” Jeta në Kosovë” .

Pos tjerash në kohën  sa Teatri  Kombëtar i Kosovës ishte nën’ patronatin e Buçes, ndodhën edhe vjedhje dhe krime të rënda jo vetëm ekonomike. Në këtë kohë kishte punëtor që në TKK punonin pa kontrata pune me 2, 3 vite. Ishin vjedhur 18 mijë litra naftë në mënyrë sistematike. Punëtorit  të TKK-së Mursel Bekteshi  i cili akuzohet për tentativë dhunimi në festivalin e teatrove në Kolumbi,  iu fshehë krimi dhe vazhdon të jetë akoma pjesë e stafit të TKK-së.  Këto dhe shume raste të tjera që bëjnë pjesë në grupin e krimeve të organizuara, Buçja dhe drejtori rezervë Ahmet Brahimaj i instaluar në TKK nga SHIKU, i sanuan në mënyrë perfekte. Kriminelët po vazhdojnë të luajnë vallen e brejtjes së ashtit të Teatrit Kombëtar të Kosovës…

E ëmbla karrike e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pikë synim për artistët karrieristë, të cilëve ju konvenon që në CV-në e tyre ta fusin ( Postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar  të Kosovës ). Ky fenomen e yshti drejtoreshën ” Eli ” të konkurroi për postin e drejtorit gjeneral dhe si duket lidhjet e saj të shkurta e të gjata me pushtetin e SHIK-ut ishin ma të forta sesa lidhjet e Buqes dhe Ahmetovskit të SHIK-ut bashkë. Elmaze Nuraj me nofkën  “Eli”  hop e në kolltukun e drejtorit të Teatrit të Kombit . Eli fillimisht bombardoi me pamjen e saj “seksi” mediat dhe publikun e gjerë të cilët ishin lodhur nga pamja bajate e Buçes. Por ambicia e Elmazes doli të jet’ afat shkurtër, në krahasim me ambicien e Burbuqes e cila derisa u drejtoresh e TKK-së nuk ja dinte askush as emrin. Mirëpo, Eli për dallim nga Buqja nuk ishte e sofistikuar në vjedhje me letra çelë. Andaj pa u mbushur 4 muaj Elit iu hap lënda në krimet ekonomike për vjedhje klasike. Në bashkëpunim me Drejtor – Kauboi Beqën e famshëm, ata në mënyrë klasike kishin realizuar aktin e shëmtuar të vjedhjes së hiq ma pak se 2500 euro të dedikuara për transportin e skenografisë së shfaqjes së Elit, me rastin e udhëtimit të kësaj shfaqje në një festival me sa dimë në Slloveni. Vjedhja ishte klasike. Në shpenzimet e udhëtimit të shfaqjes “Lisistrata” në regji të drejtoreshë Elit, figuronin: Një kamion për bartjen e skenografisë dhe një autobus për transportimin e ekipit të shfaqjes. Skenografia u fut në bagazhin e autobusit me të cilin do të transportohej ekipi i shfaqjes, ndërsa kamionit i cili do të duhej të transportonte skenografinë e shfaqjes për në festival iu bë CANCEL. Por, shtrohet pyetja ku mbetën 2500 eurot e destinuara për kamionin i cili do të transportonte skenografinë e shfaqje. Përgjigjja është “U ZHDUKËN” ! Rasti u zbulua, drejtoresha “naive” Eli e cila me kërkesën e drejtor Beqës kishte firmosur  faturën e kamionit u bunit. Si duket ajo nuk kishte përvojë  me raste të tilla të vjedhjeve klasike. Urgjentisht dha dorëheqje nga posti i drejtoreshës me pretekst se po i rrezikohej vendi i punës si pedagoge  ne Fakultetin e Arteve, punë me kontratë afatgjatë. Lëndën e vjedhjes së parave të kamionit, persona anonim e dërguan në zyrën për krime ekonomike! Tash patatja e nxehtë gjuhej nga dora e drejtor Beqës në dorën e drejtoreshës Eli. Të cilës për një kohë iu shua buzëqeshja si bryma para diellit të mëngjesit! Kërcënime, shantazhe, akuza të pa baza dhe në fund bashkim forcash për ta fshehur kopilin e mbetur në derën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo lëndë e cilësuar si krim i rëndë ekonomik u mbulua .  Drejtoresh afat shkurtë Eli dhe drejtori i përjetshëm të cilit “postin e drejtorit ja ka lënë trashëgimi baba, të cilit ja pat kompensuar me 10 ari truall pran liqenit piktoresk të Batllavës”,  pra drejtor Beqa dhe drejtoresha ish drejtoresha Eli janë pajtuar dhe tash po bashkëpunojnë në realizimin e një shfaqje mysafire “artistike” në Teatrin Kombëtar të Kosovës e cila shfaqje ka bllokuar realizimin e shfaqjeve rezidente të TKK-së. Divat e teatrit janë, mbyllur në “skenën e vocërr të vocërr” sepse lidhjet e shkurta ART-SHIK-PARLAMENT në TKK, kanë përparësi absolute.

Luaje macë kryet e Buallit !

Shpresa e vetme Agim Sopi. I cili në mënyrë pompoze, patë  deklaruar se me ardhjen e tij drejtor në TKK, nuk do të ketë më matrapazllëqe dhe artistët do të frymojnë lirshëm ka filluar të shuhet! Si duket dhe Gima, posa u ul në karriken e ëmbël të drejtorit, u urtua u bë dele. I harroi deklaratat e tij dhe  posti i drejtorit po ia thyen një nga një parimet  e tij prej artistit të mirëfilltë. Druajmë, se së shpejti molla e tij, do të kalbet nga mollët e kalbura që e rrethojnë.

Ai i cili nuk e ndëshkon krimin bëhet pjesë e krimit. Agim Sopi si drejtor gjeneral i TKK-së pos që i ka lënë artistët doajen të TKK-së që i krahasonte me Lorenc Olivien, të dergjen në skenën e vocërr, për t’i plotësuar urdhrat dhe apetitet e pseudo artistëve dhe shefave. Ky artist u shndërruar në drejtor “gënjeshtarë”,  i cili disa javë më herët në mënyrë pompoze patë deklaruar: Institucionet e Republikës së Kosovës po shpërbëhen, ato ose duhet të vishen me vlera, ose të shpërbëhen fare. Tash Gima po i futë veshët në lesh dhe i ka ngjitur syzet e të verbërve, para shkeljeve të rënda që po ndodhin para hundëve të tij.

Nga Policia e Kosovës, rasti i kërcënimit në vendin e punës të një zyrtari të lartë të TKK-së, nga ana e Beqir Beqirit, u cilësua si rrezikshmëri e lartë – kërcënim me vdekje. Me këtë rast  zyra e zyrtarit të lartë të TKK-së u demolua nga Beqir Beqiri. Ky i fundit e kërcënoi me jetë zyrtarin e teatrit në vendin e tij të punës, dhe pastaj ia demoloi zyrën. Agim Sopi jo që nuk e ka suspenduar, nga puna “Kauboi Beqën” i cili kërcënoi me jete dhe demoloi zyrën e ekonomistit të teatrit. Por “Kauboi Beqës” as nuk i ka bërë vërejtje me shkrim. Nga postimit e facebookut të “Llegendës së zëshëm” të cilit pas kërcënimit nga Beqir Beqiri, si duket iu ka topitur maja e sëpatës dhe më nuk po pranon të komunikoi me neve, kemi mësuar se karrikia e shfaqjes ” Karrikia e Nxehtë ” është demoluar. Nga burime tjera kemi mësuar se karrikja e tij e famshme  është ” thyer me llos” nga : “Kauboi Beqa”. Edhe kjo është një tjetër shkelje ligjore të cilën Agim Sopi, si drejtor gjeneral i Teatrit Kombëtar nuk po e denoncon. E të mos e ndëshkosh krimin nënkupton të bëhesh pjesë e krimit.

Një tjetër “figurë artistike” na është shfaqur në vazhdën paturpësive që burojnë nga pseudo artistët që udhëheqin kreun e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Rexhep Tërshnjaku ka hapur akuzë, në anti korrupsion, në zyrën për krime ekonomike, këtë akuzë e ka adresuar edhe  në MKRS edhe te drejtori Agim Sopi dhe gjithandej. Akuza e tij rëndon mbi kryetarin e këshillit të TKK-së Jeton Neziraj i cili haptazi për realizimin e një projekti të diplomës së masterit në skenën e vogël, Tërshnjakut i ka kërkuar 1000 euro për veten e tij, 1000 euro për drejtorin artistik Agon Myftari, e të tjera. Tërshnjaku deklaron haptazi se madje posedon edhe letrën ku Neziraj me dorën e tij i ka shkruar shifrat e parave të cilat ia ka kërkuar për ta kaluar projektin e tij si pjesë e projekteve të skenës së vogël. Ky i ngratë deklaron se s’ka lënë derë pa trokitur por ngushëllimi i tij ka mbetur të kënga ” Hesht dhe vetëm hesht dikush po troket, nëse babi vjen vaj halli për ne”

Një tjetër akt vandal që ka ndodhur kohëve të fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës është edhe mbulimi me ngjyrë të zezë i tabelës ku në serbisht shkruan ” Teatri Kombëtar i Kosovës”. Shkallët e teatrit vazhdojnë të qëndrojnë të demoluara “si vorret e jahudive në kohën e Hitlerit”. Porta e teatrit po vazhdon të mbahet e byllur për artistët dhe e hapur për klanet. Bufeja është ri tenderuar nga vet uzurpatori. Në anën tjetër ligji dhe mediat po heshtin ndaj këtyre krimeve ndërsa Ministri dhe drejtorët po vazhdojnë të premtojnë ri mëkëmbjen e vlerave të Teatrit Kombëtar të Kosovës përderisa në vorbull vazhdon të zihet çorba e vjetër e pistë.

Këto ngjarje të pa precedentë që po ndodhin në vazhdimësi në TKK – po ia ndërrojnë   kahjen agjendës sonë të publikimit të fakteve të cilat gazetarët hulumtues dhe institucionet gjegjëse nuk po kanë guxim apo nuk po duan t’i publikojnë.