Varrimi i të gjeturve në Rudnicë bëhet më 12 shtator

Varrimi i trupave të gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, do të bëhet më 12 shtator, ka njoftuar Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës. Këta trupa ishte paraparë që të varrosen gjatë kësaj fundjave.

Lajme

04/09/2014 15:52

Mbetjet mortore të trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë të gjetur në varrezën masive në Rudicë të Rashkës, do të varrosen me 12 shtator.

Varrimi i këtyre trupave ishte paraparë që të bëhet gjatë kësaj fundjave, por është shtyrë për shkak të identifikimeve të reja, ka njoftuar Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës. Sipas tyre deri më tani janë identifikuar 39 persona.

“Riatdhesimi i mbetjeve mortore të identifikuara deri më tani, përmes analizës së ADN-së, i planifikuar për fundin e kësaj jave, do të shtyhet për datën 12 shtator 2014, gjithnjë duke pasur parasysh identifikimet e reja, përkatësisht raportet e identifikimit përmes analizës së ADN-së, të lëshuara nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, të cilat zyrtarisht i janë dorëzuar Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës, gjatë kësaj jave nga Komisioni Qeveritar i Serbisë për Persona të Zhdukur. Riatdhesimi i mbetjeve mortore, të identifikuara, sipas praktikave do të bëhet përmes EULEX-it”.

“Deri më tani, nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rudnicë, të Rashkës, janë identifikuar 39 persona, viktima të luftës në Kosovë. Gjatë javëve në vijim priten edhe identifikime të reja, duke u bazuar në numrin e mostrave të dërguara për analizë të ADN-së”.

“Përfaqësuesit e Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur , së bashku me ekspertët mjekoligjor të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, në ditët në vijim do të angazhohen në procedimin e mëtutjeshëm të identifikimit dhe përgatitjes së rasteve të identifikuara për riatdhesim me datën 12 shtator 2014, dhe konform procedurave ligjore familjet dhe familjarët e personave të zhdukur do të informohen me kohë, gjithnjë në respektim të të drejtave të familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës”, thuhet në komunikatë.