Varri hebre për shefin e Gestapos

Për 68 vjet, fati i Heinrich Mueller, ish kreut të Gestapos, ka qenë i paqartë. Dokumentet e gjetura nga një historian tregojnë se ai vdiq në fund të luftës dhe u varros në varrezat hebraike në Berlin

Bota

31/10/2013 16:01

Kreu i policisë së fshehtë naziste dhe një nga organizatorët e Holokaustit, Heinrich Mueller, u varros në një varrezë hebraike në Berlin në vitin 1945, raportoi një gazetë gjermane të enjten.

Për 68 vjet, fati i “Gestapo-Mueller”, ka qenë i paqartë, por Bild, bazuar në dokumentet e gjetura nga një historian, pohoi se ai vdiq në fund të luftës dhe u varros në një varr të përbashkët në varrezat hebraike në qendër të Berlinit.

“Mueller nuk i mbijetoi fundit të luftës”, citohet të ketë thënë kreu i Memorialit të rezistencës gjermane, Johannes Tuchel.

“Trupi i tij u varros në vitin 1945, në një varr masiv në varrezat hebraike në Berlin-Mitte”, tha ai.

Mueller u përfol gjatë se i kishte mbijetuar Luftës së ll Botërore. Bild citoi një dosje të BND’së gjermane duke deklaruar se Mueller ishte në Carlsbad, në ish-Çekosllovaki, verën e vitit 1949.

Por, Tuchel tha se shërbimet sekrete e kishin gabim.

“Trupi  i Mueller ishte gjetur në gusht të vitit 1945, në një varr të përkohshëm në afërsi të ish-ministrisë së  aviacionit të Reich’ut nga një komando i varrimit”, tha ai për Bild.

Trupi i tij ishte i veshur me një uniformë të gjeneralit. “Në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij të majtë ishte edhe certifikata e tij e shërbimit me një foto”.

Gazeta Bild gjithashtu printoi një dokument nga zyra e gjendjes civile në Berlin-Mitte, ku thuhet se Mueller është varrosur në varrezat hebraike të distriktit.

Udhëheqësi i bashkësisë hebraike të Gjermanisë, Dieter Graumann, reagoi me zemërim.

“Njëri nga  sadistët më brutalë nazistë është varrosur në një varrezë çifute, është një gjë e shëmtuar dhe e pakëndshme. Kujtimi i viktimave këtu është duke u trajtuar me përbuzje”, tha ai për Bild.

Mueller mori pjesë në Konferencën Wannsee në një vilë në periferi të Berlinit në janar 1942, në të cilën nazistët e lartë ideuan “Zgjidhjen Përfundimtare”, një plan për t’i shfarosur të gjithë hebrenjtë në Europën e pushtuar nga nazistët.