Varrezë masive në Dardhishtë?

Punëtori i KEK-ut, Shukri Sadiku nga fshati Sibovc, dyshon për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Dardhishtë të Obiliqit. Ai thotë se më 28 mars të vitit 1999, aty ka parë një ekskavator që hapte një gropë të gjerë 25 metra dhe të thellë 8 metra.

Lajme

18/04/2014 10:03

Shukri Sadiku nga fshati Sibovc i komunës së Obiliqit, ka muaj që nuk po e bën gjumin rahat. Atij për çdo natë po i përfytyrohet ekskavatori të cilin 15 vjet më parë e kishte parë duke hapur një gropë të madhe në fshatin Krushevc, (tash Dardhishtë), afër Obiliqit.

Ngjarja, sipas tij, ka ndodhur në ditën e pestë të fillimit të bombardimeve të NATO-s, që i bie ë datë 28 mars 1999. Derisa po kthehej nga puna, thotë se pa ekskavatorin, ngase ishte i detyruar me dhunë të shkonte në punë.

Sadiku po dyshon se në atë vend ekziston një varrezë masive.

“Kjo ngjarje ka ndodhur në ditën e katërt të bombardimeve kur na kanë lëshuar nga puna dhe kemi kaluar këtejpari me veturë. Në këtë vend kemi parë duke u hapur gropa me ekskavator. Gropa ka qenë e thellë rreth shtatë apo tetë metra, ndërsa ka qenë e gjatë rreth 25 metra. Unë po dyshoj se në këtë vend ekziston varrezë masive”, rrëfen Sadiku për Tribunën.

Gjatë kohës sa ekskavatori hapte gropën, përreth tij qëndronin njësia speciale e KEK-ut, e udhëhequr nga Jova Gjorgjeviq, njësi e cila, sipas tij, ishte e armatosur rëndë.

“Derisa ekskavatori bënte punën, rreth tij qëndronin rreth 40 paramilitarë, por ne e kemi vazhduar rrugën për në shtëpi”, thotë Sadiku.

Pas katër ditësh ai ishte kthyer përsëri në atë vend, por gropa që e kishte hapur ekskavatori tashmë ishte mbuluar me dhe.

“Shpeshherë natën po më kujtohet ekskavatori duke hapur gropën. Mua po më bren kjo punë. Sepse sikur mos të kishte pas asgjë këtu, unë s’kisha dalë me fol kot. Por e di që ka diçka këtu, tash a ka njerëz, apo diçka tjetër nuk e di”, thotë Sadiku në numrin e sotshëm të Tribunës, duke shtuar se KEK-u ka qenë i blinduar nga njerëz të armatosur.