Varreza e asfaltuar në Rashkë

Vendi i dyshuar për varrezë masive në Rashkë ishte mbuluar me zhavorr për të fshehur gjurmët e mbetjeve njerëzore. Nga gjetjet e mbetjeve deri më tani bëhet fjalë për më shumë se 1 person, ndërsa mendohet se aty janë më shumë se 250 vetë.

Lajme

13/12/2013 14:55

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar sot se varreza masive në Rudnicë, afër Rashkës, mund të përmbajë 250 deri në 400 mbetje njerëzore.

Vendi në të cilin vazhdimisht është dyshuar për mbajtje të varrezave, është lokalizuar dhe konservuar për t’u proceduar edhe më tutje nga komisioni i Beogradit, ndërsa Zyra për Komision Qeveritar ka qëndruar në cilësinë e vëzhguesit.

Vendi është gjurmuar deri në 30 metra, por mbetjet njerëzore janë hasur në gjurmimin rreth 1 metër.

Prenkë Gjetaj, Kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit ka thënë se vendi i dyshuar ka qenë i mbuluar me asfalt e zhavorr dhe kjo sipas tij paraqet përpjekje të serbisë për t’i fshehur gjurmët e krimit.

“Vendi i quajtur i “maskuar” në kohën e luftës gjegjësisht në vitin 1999, në kohën e bombardimeve nuk ka ekzistuar, pastaj kjo pjesë tani e gërmuar ka qenë pjesë e kënetës, dhe e mbushur gjatë muajit prill, sepse imazhet satelitore tregojnë se aty ka qenë kënetë më 26 mars, ndërsa më vonë dikur më 9 maj 1999 shihet se ka pasur mbushje”.

“S’ka pasur arsye atëherë që ajo mbushje për ndonjë aktivitet apo për nevojë ekonomike, vetëm për t’u fshehur gjurmët e krimeve”.

“Oborri ka qenë i mbushur me dhé, këneta, pastaj zhavorr, gurë pastaj shtresa asfalti që është shfrytëzuar si parking i ndërmarrjes  për mirëmbajtjen e rrugëve me emrin Kosmet Put dhe kemi pasur informacione vazhdimisht që aty gjendet varreza masive”.

Gjetaj ka njoftuar se në këtë moment në Rashkë gjendet një ekip nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, ekipi i EULEX’it nga mjekësia ligjore si dhe nga policia për krime lufte si dhe përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe autoritet e Beogradit.

“Ky lajm është i gëzueshëm për familjet, sepse mendojmë se aty do të ketë një numër bukur të madh të mbetjeve njerëzore, por për momentin ne nuk mund të përcaktojmë numrin, sepse posa kanë filluar gërmimet e para, gjegjësisht gjetjet e para, dhe tani do të zhvillohet aktiviteti gërmues vlerësues në mënyrën më profesionale”.

Ai ka thënë se lajmin për një numër të madh të mbetjeve njerëzore e ka bërë të ditur edhe prokurori serb Bruno Vekariç para 3 viteve.

“Para 3 viteve edhe zëvendës prokurori Bruno Vekariç publikisht e ka lajmëruar me 9 maj të vitit 2010, ka thënë, se në Rudnicë gjendet një varrezë masive me 250 trupa. Ndërsa sipas informacioneve tona shpresojmë se atje ka më shumë se ky numër që e ka përmendur ai”.

Gjurmimet do të bëhen nga 10 dhjetori deri më 14 dhjetor. Ndërsa nesër merret vendimi për vazhdimin e procedurave në mënyrën më profesionale që duhet të bëhet.

Prej vitit 2008 deri tani janë identifikuar 200 mbetje mortore. Ndërsa numri i përgjithshëm i të zhdukurve të Kosovës nga lufta është 1721.