Varhelyi: Qytetarët dhe bizneset do të përfitojnë nga marrëveshja roaming

Komisioni i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes për tarifat roaming do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset. Ai ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar në Tiranë, është tregues që do të ketë një shtytje të rëndësishme në tregun e telekomunikacionit. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, para…

Lajme

06/12/2022 14:10

Komisioni i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes për tarifat roaming do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset.

Ai ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar në Tiranë, është tregues që do të ketë një shtytje të rëndësishme në tregun e telekomunikacionit.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, para mediave ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka thënë se kjo e integron rajonin në sistemin e të drejtave themelore.

“Nënshkrimi nga një sërë operatorësh të telefonisë celulare të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, të deklaratës së përbashkët për jetësimin e udhërrëfyesit të heqjes së tarifave të roamingut mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, përbën një nga arritjet madhore të viteve të fundit. Emërtesa e këtij dokumenti mund të duket teknike në të vërtetë, por impakti i tij është sa konkret dhe real për jetën e qytetarëve tanë kudo që ata banojnë dhe sigurisht me një impact të jashtëzakonshëm sa i përket përshpejtimit të të gjitha hapave integruese”, ka thënë ajo.

Zgjerimi i tarifave të roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Balluku tha se bën të mundura dy dukuri.

“Së pari redukton frakturën digjitale mes evropianëve në të dy anët e Adriatikut dhe nga ana tjetër patjetër komplimenton aspektet më kyçe të ndërlidhjes, atë shoqërore dhe njerëzore dhe një përafrim jo thjesht të politikave dhe të normave por padyshim të shkëmbimeve sociale, ekonomike dhe njerëzore. Së dyti, falë përfshirjes se rajonit tonë në një bashkësi evropiane të përdoruesve fundor që përmes një lundrimi pa kosto shtesë në internet me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë përfitojnë njësoj nga mundësi të panumërta të shoqërisë digjitale duke bërë të mundur qarkullimin e ideve, projekteve, qarkullimin e çdo inovacioni që deri sot ka qenë e pamundur. Në këtë mënyrë marrëveshja e sotme e integron rajonin më shumë dhe më mire në sistemin e te drejtave themelore të çdo evropiani, atë të qarkullimit të lirë të personave, të mallrave, të ideve dhe ndërveprimeve ekonomike që padyshim janë shumë të rëndësishme”, tha ajo.

Edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi e ka konsideruar hap të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Duke bërë telefoninë mobile me shërbimet e tij të përballueshme dhe të arritshëm për të gjithë qytetarët, që është element themeltar i çdo tranzicioni digjital gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm. Sot, dhe deklarata e sotme shënon një hap të rëndësishëm në këtë lloj drejtimi dhe kahje, dhe kjo duhet të jetë në të mirë të çdo njërit prej nesh. Mirëprita nënshkrimin e kësaj marrëveshje mes gjithë operatorit të Ballkanit Perëndimor, disa prej tyre pra që janë zotuar që do të punojnë drejt uljes së tarifave të roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së që qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të vizitojnë BE-në dhe kur qytetarët e BE-së do të vizitojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor ata pra të ndihen në shtëpinë e tyre”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se me marrëveshjen e tarifave roaming, më së shumti do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset.

“Operatorët kanë nënshkruar këtë deklaratë të sotshme, janë ata që përbëjnë shumicën e trafikut të telekomunikacionit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Jam më se i sigurt se nuk janë vetëm shumica, por do bëhen përmes kësaj marrëveshje, shumica dërrmuese. Sepse jam i bindur që ky zotim i nënshkruar sot, është tregues që ne do të kemi një shtytje të rëndësishme në tregun e telekomunikacionit. Qytetarët dhe bizneset do përfitojnë shumë prej tregjeve të arritura, duke quar përpara aktivitetet tregtare të atyre që marrin pjesë”, ka shtuar ai.

Operatorët telefonikë të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje të reduktimit të tarifave të roaming-ut. Kjo marrëveshje do të nisë të zbatohet më 1 tetor të vitit të ardhshëm.