Van Persie u mërzit për Fergusonin

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Robin van Persie u prek më së tepërmi pas vendimit të Sir Alex Fergusonit të tërhiqet nga posti i menaxherit, ka njoftuar mbrojtësi Rio Ferdinand.

Sport

23/09/2014 10:07

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Robin van Persie u mërzit më së shumti pas vendimit të Sir Alex Fergusonit për t’u pensionuar nga futbolli, ka njoftuar ish mbrojtësi, Rio Ferdinand.

Ferguson u tërhoq nga detyra në maj të vitit 2013 pas 26 vjetëve në drejtim të skuadrës nga Old Trafford, vetëm një vit pasi bindi Van Persien t’i bashkohet Unitedit nga Arsenal për 24 milionë funte.

Dhe, Ferdinand i cili po ashtu u largua nga United pas 12 jetëve për t’iu bashkua Queens Park Rangers në verë, ka bërë të ditur se Van Persie ishte futbollisti që e priti më së keqi largimin e Fergusonit.

“Të gjithë ishin mirënjohës për atë që bëri për karrierat tona. Por, futbollisti që u prek më së tepërmi ishte Robin. Ai kishte ardhur një vit më parë, shijoi sukses dhe kërkonte më tepër”, u shpreh Ferdinand për ‘MUTV’.

26 golat e Van Persiet në stinorin e tij të parë për Unitedin i ndihmuan klubit që të rikthejë titullin e Premierligës nga Manchester City më 2013.