Van Persie ‘kthehet në kohë’- U kërkon falje tifozëve të Arsenal

Ish sulmuesi i Arsenal, Robin van Persie, i cili ka bërë të ditur se do të pensionohet pas fundit të këtij sezoni, ‘është kthyer në kohë’ për t’iu kërkuar falje ‘Gunners’.

Sport

23/05/2019 21:01

Në syrin e shumë tifozëve të Arsenal,RVP është një nga ‘tradhtarët’ që nuk do të falet asnjëherë.

Një hero në ‘Emirates’ gjatë kohës së tij me klubin, holandezi theu zemrat e tifozëve me transferimin e tij tek Manchester United, shtatë vite më parë.

Ai fitoi Premierligën sezonin tjetër, duke përfunduar edhe si  golashënuesi më i mirë i ligës. Largimi i tij la të dëshpëruar shumë njerëz në Londrën Veriore, të cilëve Van Persie së fundmi u ka kërkuar falje.

“E kuptoj se tifozët ishin të nevrikosur me mua. Unë isha kapiteni, golashënuesi më i mirë dhe ne përfunduam në pozitën e tretë atë sezon. Por, ndonjëherë ndihesh sikur ke nevojë për sfidë të re” ka thënë fillimisht Van Persie, raporton ‘The Sun’.

“Nëse kam lënduar njerëz, më vjen keq. Por, ky jam unë. Unë bëra atë vendim dhe i qëndroj pas. Por kjo nuk do të thotë se unë e shoh në mënyrë negative Arsenalin” ka thënë tutje holandezi, transmeton lajmi.net.

Në sezonin para kalimit në ‘Old Trafford’, Van Persie kishte fituar çmimin lojtari i vitit, si dhe këpucën e artë. /Lajmi.net/