Van Gaal shpjegon rolin e Januzajt

Menaxheri i Manchester Unitedit, Louis van Gaal ka treguar pse angazhoi Adnan Januzajt në rol të pazakonshëm në qendër të mesfushës në barazimin kundër Sunderlandit të dielën.

Sport

25/08/2014 17:56

Louis van Gaal ka shpjeguar vendimin e tij për të aktivizuar Adnan Januzajn në rol të ri në qendër të mesfushës gjatë pjesës së dytë të barazimit 1:1 me Sunderlandin në Stadium of Light të dielën.

Holandezi inkuadroi Darren Fletcherin në minutën e 63-të në formacionin 3-5-2. Januzaj tregoi se di të sakrifikohet pasi luajti në një pozitë të pazakonshme për të. Van Gaal e ka shpjeguar idenë e tij.

“Nuk është e zakonshme që kemi katër lëndime në mesfushë”, deklaroi Van Gaal. “Çdo klub që pëson kështu, ka problem. Për këtë arsye e kam angazhuar Januzajn në mesfushë sepse si trajner dua të fitoj. E kam thënë se kemi nevojë për pasime kreative dhe mendoj se Januzaj mund t’i ofroj ato. Kjo është arsyeja”, u shpreh ish selektori i Holandës.

Van Gaal po ashtu tregoi pse Januzaj konsiderohet edhe në qendër të mesfushës para rezervistit tjetër Shinji Kagawa.

“Kagawa, jam munduar ta aktivizoj në atë pozitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ai nuk i përmbushi dëshirat dhe filozofinë time. Mata ishte duke luajtur në pozitën e numrit 10 dhe mendova se mu desh të ndërroj futbollistët e tjerë, kështu që angazhova Januzajn. Është për shkak të kreativitetit. Kagawa po ashtu mund të krijojë, por kam kërkuar nga Adnani të luajë aty për shkak të mungesës së mesfushorëve. Kur ai luajti në Belgjikë, ai luajti në mesfushë andaj kam kërkuar prej tij që ta bëjë edhe për ne. Dua që ai të jetë i përqendruar. Ai e ka dhënë maksimumin dhe nuk mund të kërkoj më tepër”, u shpreh Van Gaal.