Valls: Jemi në luftë me terrorizmin, jo me Islamin

Kreu i qeverisë franceze, Manuell Valls në një fjalim para parlamentit francez, të martën, ka thënë se Franca është në luftë me terrorizmin, xhihadizmin dhe radikalizmin.

Bota

13/01/2015 18:58

“Franca nuk është në luftë me Islamin dhe myslimanët”, ka thënë Valls.

Kryeministri francez ka folur një javë pasi terroristët islamikë vranë 17 persona nw Paris.

Valls ka paralajmëruar një seri masash që do të bazohen në mësimet e nxjerra nga sulmet e javës së kaluar, përfshirë edhe krijimin e vendeve speciale në burg për radikalët islamikë.

Dy terroristët e javës së kaluar njoftohet se janë takuar në burg, prej kur edhe kanë mbetur në kontakt të ngushtë.

Njëri prej tyre kishte thënë se sulmet ishin koordinuar.

“Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj situate të jashtëzakonshme me masa të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Por, ai ka përjashtuar masat që devijojnë nga parimet e ligjit dhe vlerave të Francës.

Fjalimi i Valls është përcjellë me ovacione të forta nga deputetët.