Tetë vjet ka zgjatur gjyqi maratonë dhe vetëm dje treshja e gjykatës së Apelit – Elona Stavri, Hysni Demiraj, Marie Qirjazi – i dhanë miratimin shtetases Anna Nordstrom, duke e ligjëruar si vajzën e ish biznesmenit Vehbi Veliaj.
Më 24 janar 2018, Gjykata e Lartë kishte vërejtur shkelje të procedurave dhe kishte urdhëruar Apelin të japë vendim.
Ndërkohë, Anna Nordstrom ka paditur për veting 20 gjyqtarë dhe 10 prokurorë, përfshirë këtu edhe Adriatik Llallën, ish kreun e Prokurorisë.
“Unë, qytetarja suedeze Anna Vebi Nordstrom, duhet të sorollatem 8 vite për një ‘Dëshmi Trashëgimie’ të babait tim dhe e kam të pamundur që të ketë një vendim gjyqësor për këtë çështje” shkruan Nordstrom në ankesën e saj.
“Kam paraqitur këtë ankim përpara jush, pasi mendoj se është momenti që të bëhet vlerësimi për të gjithë ata pseudogjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë zvarritur një proces i cili për nga kompleksiteti, rrethanat dhe kërkimi i paraqitur, është nga më modestët në gjykim. E them me bindje se është e vetmja çështje në Republikën e Shqipërisë e cila ka kaluar nga 2 herë të gjitha shkallët e gjykimit”.
Kush ishte biznesmeni Veliaj?
Vebi Veliaj u nda nga jeta në moshën 61 vjeçare më 15 maj 2009, pas një sëmundje të rëndë. Ai ishte President i VEVE Group dhe i rrjetit të televizioneve Alsat në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, si dhe themelues dhe president i institucionit kulturor “Fondacioni Velijaj”.
VEVE Group u themelua në fillim të viteve ’90 dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga kompanitë e cila tërhiqte investime të huaja në Ballkan.