Vajza dyvjeçare jeton me të ëmën e divorcuar, i ati pretendon se ajo po ushtron dhunë ndaj fëmijës

Divorci i kushtoi goxha shtrenjtë Behar Sylës nga Mitrovica.

Lajme

21/03/2019 18:03

33-vjeçari u detyrua të ndahet nga vajza e tij dyvjeçare menjëherë pasi i dha fund martesës. Tash e disa muaj ai mund ta shohë vajzën vetëm një ditë të javës, meqenëse ajo ka mbetur nën përkujdesjen e së ëmës. I ati po e kërkon kujdestarinë e plotë të vajzës.

Thotë se ajo iu kidnapua nga familjarët e ish-gruas dhe se ndaj vogëlushes po ushtrohet dhunë nga e ëma. Rastin tashmë ai e ka paraqitur edhe në polici. Ndërkohë që çifti divorcin tashmë e ka kryer edhe përmes procedurave gjyqësore

Të gjithë shtëpinë e ka të mbushur me lojëra fëmijësh. Ani pse aty në gjashtë ditë të javës nuk ka prani të fëmijëve. 33-vjeçari nga Mitrovica, Behar Syla, ato lojëra po i mban për vajzën e tij, të cilën mund ta shohë vetëm gjatë një dite të javës. Kjo pasi që ai para disa kohësh është ndarë nga gruaja, e vajza dyvjeçare me vendim të Gjykatës ka mbetur nën përkujdesjen e së ëmës. Por, Behari po kërkon që vajza e tij të jetojë me të e jo me të ëmën.

Gazeta Express, sot gjatë ditës ka qëndruar në Mitrovicë, ku ka biseduar me Beharin, i cili po hedh akuza ndaj ish-gruas dhe familjes së saj. Thotë se mbi vajzën po ushtrohet edhe dhunë fizike.

“Çika ka shenja në fytyrë dhe trup.Unë nuk besoj që një fëmijë tre herë të bjerë me kokë”, sqaron prindi i fëmijës.

Ai thotë se të gjitha këto kanë ndodhur pas ndarjes së çiftit. Behari, sqaron se tash po e kërkon kujdestarinë e plotë të vajzës së tij.

“Ne me procedurë gjyqësore jemi nda me gruan. Ish-gruaja ka deklaru në gjykatë se vajza rrin me tezën në shtëpi. Unë po e kërkojë kujdestarinë e plotë për vajzën, sepse ajo (e ëma e vajzës), nuk është në gjendje që ta mbajë vajzën. Unë që dy herë i kam dhanë alimentacion ish-gruas, vajzën me të njëjtat rroga e marr gjithë”, tregon prindi i 2-vjeçares. Ai deklaron se për këtë çështje do të ankohet edhe në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë që rastin si kidnapim i fëmijës tashmë e ka raportuar edhe në policinë e Kosovës.

Këta të fundit kanë nisur hetime si dhe lënda me datë 21 janar ka kaluar në prokurorinë e shtetit për trajtim të mëtejmë.

“Mund t’ju konfirmoj se lënda tashmë është iniciuar në polici me dyshimet për keqtrajtim apo braktisje e fëmijës. Ne, më 21 janar, lëndën e kemi dërguar në Prokurorinë Themelore dhe hetimet tashmë vazhdojnë andej”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë së rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti.

Rreth kësaj çështjeje, ekipi i gazetës ka biseduar edhe me ish gruan e Beharit, Fikrijen.

Aj ka rekomanduar ekipin që të mos e shqetësojnë, pasi sipas saj çdo gjë për këtë proces mund të flasë vetëm Policia e Rajonit të Mitrovicës.

Kurse nga qendra për punë sociale, e cila e ka nën monitorim kujdesin për dyvjeçaren, kanë thënë se ky rast tashmë është në duart e organove shtetërore.