Vagonët e fushatës
Zyrtarë të Ndërmarrjes “Trainkos” kanë hedhur poshtë akuzat e LDK’së për keqmenaxhim dhe keqpërdorime. Zëdhënësi Valon Murseli ka thënë për lajmi.net se akuzat e LDK’së i përngjajnë fushatës zgjedhore. Sipas tij, “Trainkos” operon me fitim.

Lajme
Ndërmarrja Publike “Trainkos”, e cila menaxhon hekurudhat e Kosovës, ka hedhur poshtë kritikat e LDK’së për keqmenaxhim dhe keqpërdorim.
Në deklaratën e vet, LDK kishte shprehur shqetësim për gjendjen në Hekurudhat e Kosovës dhe kishte akuzuar dy kompanitë publike që menaxhojnë hekurudhat dhe trenat për “keqmenaxhim dhe keqpërdorime”.
Infrastruktura hekurudhore e Kosovës menaxhohet nga ndërmarrja “Infrakos”, ndërsa trenat menaxhohen nga “Trainkos”.
Zëdhënësi i Ndërmarrjes “Trainkos”, Valon Murseli, ka thënë për lajmi.net se kjo ndërmarrje nuk merret me deklarata politike të cilat, sipas tij, i ngjajnë fushatës zgjedhore.
Sipas tij, që nga themelimi në vitin 2011, kjo ndërmarrje ka punuar në “konsolidimin dhe avancimin e ndërmarrjes”.
“Ne jemi ndër kompanitë e pakta që me punën tonë mbajmë rreth 230 punëtorë .Ne gjatë vitit 2013 kemi arritur që me punën dhe angazhimin e gjithë stafit , ta mbyllim me bilanc pozitiv”, ka thënë Murseli.
“Kompani ka një fitim mbi 700 mijë euro”.
“Ne nuk merremi me deklarata politike të asnjë subjekti, që i ngjajnë më shumë një fushate politike parazgjedhore, se sa gjuhës së fakteve dhe argumenteve”.
Është mirë që të gjitha subjektet politike ta japin kontributin e vet nga pozicioni që kanë për avancimin e sektorit Hekurudhor te Kosovës”.
“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur dhe mirëpresim angazhime serioze që kanë të bëjnë me zhvillimin e hekurudhave. Kërkojmë nga subjektet politike që në vend që të mundohen të bëjnë fushatë , të ofrojnë mbështetje përmes përfaqësuesve te vet në Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera”, ka thënë për lajmi.net, Valon Murtezi, Zëdhënës i Ndërmarrjes “Trainkos”.
Ndërmarrja “Trainkos” për dy vjet të funksionimit është pajisur me licencat hekurudhore nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave.