Ushtria ukrainase avancon drejt kufirit me Rusinë

Trupat qeveritare vazhdojnë përparimin drejt Lindjes së Ukrainës, pasi i ndoqën një ditë më parë separatistët pro-rusë deri pranë kufirit me Rusinë. 

Bota

07/07/2014 17:35

Sloviansku, fortesa e rebelëve dhe zemra simbolike e kryengritjes, është tashmë në duart e ushtarëve të Kievit, por këta të fundit i shtuan fitoret e tyre me marrjen e dy qyteteve të tjera.

Në ueb faqen e presidentit Petro Poroshenko thuhet se flamuri kombëtar valëvitet tani mbi ndërtesat kryesore në Artemivsk dhe Druzhkivka.

Edhe pse nuk janë të një rëndësie strategjike si Sloviansku, rimarrja e tyre tregon se epërsia tani është në anën e forcave të qeverisë.

Pavarësisht humbjeve, separatistët vazhdojnë të mbajnë nën kontroll kryeqendrat rajonale të Donjeckut e Luhanskut, si dhe zona të tjera kyçe. Megjithatë, një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë, Mykhaylo Koval thotë se shumë shpejt ato do të vihen nën rrethim, derisa rebelët të dorëzohen.

“Ekziston një plan strategjik, i cili është aprovuar. Këto qytete do të bllokohen plotësisht. Të tilla masa do të rezultojnë me detyrimin e separatistëve, të cilët ne i quajmë banditë, që të ulin armët”, tha Koval.

Krerët rebelë e pranuan se kanë pësuar humbje të rënda gjatë tërheqjes nga Sloviansku, por në Donjeck, sipas mediave vendase e të huaja, kryengritësit e armatosur rëndë lëvizin lirshëm nëpër rrugë.

Të dielën, ushtarët ukrainas konfiskuan një arsenal të madh armësh nga kryengritësit në zonat e sulmuara prej tyre, ndërsa ministri i Brendshëm, Arsen Avakov tha se disa rebelë janë dorëzuar e të tjerë janë përpjekur të arratisen, duke u përzier me popullatën civile. (Top Channel)