Ushtarët shqiptarë nuk duan të stërviten me ushtarët serbë
Pjesëtarë të Ushtrisë së Shqipërisë nuk do të jenë pjesë e stërvitjes së përbashkët ushtarake të vendeve të rajonit dhe të asaj amerikane që do të mbahen në Serbi.

Lajme
Në bazën ushtarake të ushtrisë serbe “Jug”, në kufi midis Serbisë dhe Kosovës, në fshatin Dobrosin të Luginës së Preshevës, do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët ushtarake, ku parashihej të marrin pjesë pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe ato nga Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania dhe Shqipëria.
Për pjesëmarrjen e Shqipërisë ishte raportuar nga mediet shqiptare dhe ato serbe, por Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë refuzuar të marrin pjesë në këto stërvitje të përbashkëta me ushtrinë serbe, transmeton Balkanweb.
Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të Forcës Rotative të Detit të Zi, me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me vende partnere në Kaukaz, Ballkan dhe rajonin e Detit të Zi.
Fokusi i stërvitjes ka të bëjë me aplikimin e detyrave dhe armëve jo-vrasëse brenda operacioneve paqeruajtëse.