Ushtarët e Kosovës hyjnë në VALA
Ushtarët, oficerët dhe personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, institucion i cili shpejt pritet të transformohet në Ushtrinë e Kosovës, që nga dita e sotme, do të përdorin edhe shërbimet dhe produktet e opraratorit publik, PTK\Vala.

Lajme
Mbi 2.700 ushtarë dhe oficerë të këtij institucioni, do të përdorin shërbimet e Vala-s, pasi ky institucion vendosi të përdorë shërbimet e këtij operatori, si rrjedhojë e kërkesës së vazhdueshme nga ana e ushtarëve, oficerëve dhe personelit tjetër.
Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i PTK-së bëri të ditur për kompaninë që ai drejton, se përdorimi i produkteve të Vala nga ana e Ushtrisë së Kosovës, paraqet një emocion të veçantë dhe është thellim i bashkëpunimit të mëtutjeshëm me FSK-në.
“Jemi të vetëdijshëm që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është një klient i zakonshëm. Është një institucion që përfaqëson sigurinë dhe të ardhmen e sigurt të shtetit tonë. Me FSK-në, ne VALA ndihemi më të fortë dhe më të sigurt”, deklaroi Mustafa.
Sipas tij, nënshkrimi i kontratës me këtë institucion, bëhet më i veçantë duke pasur parasysh edhe faktin tjetër, që shumë shpejt pritet të bëhet transformimi dhe kalimi i FSK në Ushtri të Kosovës, pas një vendimi që pritet të marrë Kuvendi i Kosovës.
“Ne si menaxhment i PTK-së, do të përpiqemi të jemi sa më cilësorë dhe efikas në zbatimin e kontratës dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira për ushtarët, oficerët dhe personelin e ushtrisë sonë”, tha më tutje ai.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap i rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që të ketë shërbime cilësore nga operatori më i madh në vend.
“Të kesh shërbimet e Vala është një sukses i madh kur dihet serioziteti dhe kompaktësia e operatorit më të madh në vend siç është PTK/Vala”, pohoi Shkëlzen Sylaj, sekretar i Përgjithshëm i MSFK-së.