Ushtarët amerikanë ulen në Bagdad

Presidenti amerikan, Barack Obama ka autorizuar dërgimin e 200 ushtarëve të tjerë amerikanë në Irak, për të forcuar sigurinë në Ambasadën amerikane dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.

Bota

01/07/2014 13:14

Presidenti Obama përmes një letre e ka informuar Kongresin për vendimin e tij.

Ai ka thënë se dislokimi i ushtarëve amerikanë do të përfshijë edhe dërgimin e helikopterëve dhe avionëve pa pilot.

Zëdhënësi i Pentagonit, Admirali John Kirby, ka njoftuar se ushtarët tashmë kanë arritur në Irak.

Ata do t’i bashkohen 275 ushtarëve që u dërguan dy javë më parë për të mbrojtur Ambasadën nga sulmet e mundshme.

Këto forca janë të ndara nga rreth 300 këshilltarët ushtarakë që presidenti i ka autorizuar për të ndihmuar Irakun në luftën kundër xhihadistëve të cilët kanë pushtuar disa qytete të mëdha dhe kanë kërcënuar se do të pushtojnë edhe kryeqytetin e vendit, Bagdad.

Njoftimi i fundit e con në gati 800 numrin e forcave amerikane që ndodhen në Irak, shumica të shkuar kohën e fundit për ta këshilluar qeverinë irakiane se si të luftojë militantët islamikë, në veçanti ata të grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit, të cilët kanë vrarë gati 2000 veta gjatë muajit të kaluar, ndërsa një ditë më parë shpallen kalifatin (shtetin) prej Aleppos në Sirinë veriore e deri në lindje të Irakut