Urimet e krerëve politikë për Festën Pashkëve

Përfaqësues institucional dhe politikë kanë uruar besimtarët e krishterë për Festën e Pashkëve. Në urimet e tyre thuhet se kjo festë dëshmon për tolerancën, mirëkuptimin dhe dashurinë që mbizotëron në shoqërinë tonë. 

Lajme

19/04/2014 13:46

Krerët institucional dhe partiak të vendit, kanë dërguar sot telegrame urimi për festën e Pashkëve.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për Festën e Pashkëve. Në urimin e saj thuhet se me rastin e kësaj feste, qytetarët duhet të gëzojnë të sotmen dhe për ta ndërtuar bashkërisht të ardhmen. 

“Uroj që kjo festë, kjo ditë  e madhe e ringjalljes së jetës dhe të mirës, ditë e shpresës  dhe e dashurisë e mirëkuptimit midis njerëzve, t’ju gjej mes njerëzve tuaj të dashur, në harmoni, me gëzime e begati”.

“Le të përulemi, në këtë ditë të shenjtë, përpara kujtimit të të gjithë atyre që nuk janë më në mesin tonë”.

“Le të rrisim respektin e dashurinë për të gjithë njerëzit rreth nesh, për ta gëzuar të sotmen dhe për ta ndërtuar bashkërisht, me ndihmën edhe të miqve tanë ndërkombëtarë, të ardhmen tonë më të mirë dhe më prosperuese”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një urimi, ka thënë se kjo festë është mishërim i besimit në rilindjen e vlerave që e çuan njerëzimin përpara.

“Në emër të Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju dhe gjithë besimtarëve të krishterë ua uroj Festën e Pashkëve katolike”.

“Kjo festë është mishërim i besimit në rilindjen e vlerave që e çuan njerëzimin përpara si në aspektin e emancipimit fetar ashtu edhe në atë human dhe kulturor”.

“Komuniteti fetar katolik ka qenë dhe vazhdon të jetë ndër komunitetet më të rëndësishme në përmasa globale, duke krijuar vlera dhe traditë të mirë të besimit monoteist”.

“Këto vlera bëjnë që në shoqërinë tonë të dominojë toleranca, mirëkuptimi, respekti dhe dashuria si vlera të kultivuara shekuj me radhë”, thuhet ndër të tjera në urimin e Kryeministrit Thaçi, dërguar Ipeshkëvit, Dodë Gjergji.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në mesazhin drejtuar qytetarëve të vendit, ka thënë se Festa e Shenjtë e Pashkëve, simbolizon ditën e shpresës dhe të besimit të gjithëmbarshëm për paqe dhe dashuri në mes njerëzve kudo në botë.

“Festa e Pashkëve i bën njerëzit më të afërt njëri me tjetrin, u jep atyre shpresën e fitores të së mirës së përgjithshme ndaj së ligës, ndërsa besimtarët, pas ditëve të agjërimit dhe të sakrificës personale në nderim të Zotit, u sjell gëzimin e rilindjes së Krishtit”, ka pohuar Mustafa.

Ai ka uruar edhe Korin diplomatik të akredituar në Prishtinë, komandantët dhe ushtarët e KFOR-it, përfaqësuesit e EULEX-it dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që shërbejnë në Kosovë.

Urime me rastin e Festës së Pashkëve, ka bërë edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Festa e Pashkës është dita e madhe e ringjalljes, dita e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, dita e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, dita e paqes dhe solidaritetit midis njerëzve. Andaj, në këtë ditë i uroj besimtarët e krishterë në mbarë vendin, me dëshirën që të kalojnë momente sa më të mira, në paqe e harmoni të plotë me njëri-tjetrin, kudo që ata gjenden”, thuhet në urimin e Haradinajt.