Urime, Shqiptarë

Në emër të Presidentit Obama, Shqipërinë, që mbush 101 vjet si shtet i pavarur dhe sovran, e ka uruar Sekretari i Shtetit, John Kerry. Thotë se Shqipëria është një forcë qendrueshmërie në Ballkanin Perëndimor dhe SHBA do ta thellojë bashkëpunimin me të.

Lajme

27/11/2013 21:18

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar Shqipërinë për Ditën e Flamurit dhe kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për popullin shqiptar.

Në emër të Presidentit Barak Obama dhe popullit amerikan Shqipërinë, që  mbush 101 vjet si shtet i pavarur dhe sovran, e ka uruar Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry.

Në urimin e tij Kerry thotë se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt mbajtjes me sukses të zgjedhjeve shumëpartiake.

“Shqipëria është një forcë qendrueshmërie në Ballkanin Perëndimor dhe SHBA janë sidomos mirënjohëse për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Ndihmës në Afganistan si dhe për gatishmërinë për të sistemuar në mënyrë të përhershme ish-banorët e kampit Ashraf”.

“Kalimi paqësor i pushtetit dhe përparimet në fushën e legjislacionit këtë vit, nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë”.

“SHBA mbështesin popullin e Shqipërisë në përpjekjet për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe reformave ekonomike”.

“Ato mirëpresin rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Europian”.

Presidenti Barack Obama, në urimin e tij për Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, po ashtu konfirmon mbështetjen amerikane për shtetin shqiptar.

“Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 Nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.”

“Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.”

“Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike.”

“Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”, thuhet në telegramin e urimit të Presidentit Obama.