Urime, Shpend

Isa Mustafa pranon humbjen në Kryeqytet dhe pohon se do të bashkëpunojë për tranzicion të suksesshëm të pushtetit në Prishtinë. Ai uroi Shpend Ahmetin për fitore. Thotë se nuk do të japë dorëheqje, por tash do t'i përkushtohet në tërësi LDK'së.

Lajme

02/12/2013 13:33

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili dje humbi pushtetin në Prishtinë, ka uruar Kryetarin e ri të Kryeqytetit, Shpend Ahmeti, duke i dëshiruar sukses në punën e tij.

Isa Mustafa, në një konferencë shtypi të mbajtur  në selinë e LDK’së, ka pranuar humbjen në zgjedhje, ndërsa ka thënë se do të bashkëpunojnë me një tranzicion të suksesshëm të pushtetit në Prishtinë.

Mustafa tha se LDK me gjithë përkrahjen e madhe që ka marrë nga qytetarët, nuk ka arritur të fitojë në garën për Kryetar të Prishtinës.

“Unë dëshiroj të falënderoj të gjithë votuesit e LDK’së, të gjithë qytetarët e Prishtinës për besimin që më kanë dhënë në dy mandate, ndërsa kundërkandidatit z. Shpend Ahmeti ia uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në punën e tij”.

“Ne do të angazhohemi që bartja e pushtetit në Prishtinë të përfundohet në mënyrë të suksesshme”.

E pashmangshme në një rast të tillë ka qenë edhe pyetja për dorëheqjen e mundshme të Mustafës pas disfatës në Prishtinë.

Por, ai deklaroi se tani do t’i përkushtohet plotësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Më ka shkuar mendja që të organizoj edhe më tutje LDK’në dhe që t’i fitojmë zgjedhjet qendrore, që është obligim i imi si lideri i LDK’së” .

“Pas këtij procesi të suksesshëm, LDK do të vijojë punën dhe do të përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme në të cilat janë i bindur se do të fitojmë edhe më bindshëm sesa në këto zgjedhje”.

Mustafa tha se nga këto zgjedhje LDK ka dalë të jetë partia më e madhe në vend, duke marrë nën udhëheqje edhe komunat kryesore në Kosovë si Peja, Gjilani, Ferizaj etj.

“Dëshiroj që edhe një herë të theksoj se në zgjedhjet për pushtetin lokal, Lidhja Domkarike e Kosovës ka dalë si partia më e votuar”.

“LDK ka fituar në: Gjilan, Podujevë, Ferizaj, Pejë, Lipjan, Istog, Fushë-Kosovë, Suharekë, Viti dhe, në koalicion me AKR’në, në Mitrovicë”.

“Ne, tani, me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, jemi kthyer në vendin e parë, aty ku LDK’ja e meriton të jetë”.

“Pas këtiij procesi të suksesshëm, LDK do të vijojë punën dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat ne jemi të bindur se do të fitojmë edhe më bindshëm se në këto zgjedhje”.

“Më lejoni që edhe një herë të falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që këtë herë i besuan LDK’së dhe që treguan kulturë të lartë politike”.

“I falënderoj institucionet përgjegjëse, që kanë punuar shumë për mbarëvajtjen e procesit dhe mediet e pavaruara, që kanë raportuar me korrektësi dhe paanshëm”.