Urime dhe suksese nga Quint’i
Ambasadorët e vendeve të Quint’it dhe Përfaqësuesi Special i BE'së në Kosovë, Samuel Zbogar, në një takim me Kryeministrin Thaçi, vlerësuan procesin zgjedhor dhe biseduan për përmbylljen e tij në vijim. Thanë se Kosova ka bërë një hap përpara.

Lajme
Ambasadorët e vendeve të Quint’it dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, kanë vlerësuar sot se Kosova ka bërë një hap përpara në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në procesin zgjedhor të 3 nëntorit.
Kryeministri Thaçi, i cili ka pritur në takim Ambasadorët dhe Përfaqësuesin e BE’së, i ka informuar për procesin zgjedhor, për të cilin ka thënë se është zhvilluar në një frymë fer, të lirë dhe demokratike.
“Kosova në këto zgjedhje kaloi testin europian”, ka deklaruar Thaçi.
“Kryeministri Thaçi falënderoi përfaqësuesit e vendeve të Quint’it dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës, në të gjitha proceset e rëndësishme”, thuhet në një komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.
“Në vazhdimësi të procesit zgjedhor, që do të zhvillohet me 1 dhjetor, Kryeministri Thaçi u shpreh i bindur që edhe kësaj radhe Kosova do ta përmbyllë me sukses testin e demokracisë, duke zhvilluar zgjedhje të lira, transparente dhe demokratike.”
“Ambasadorët e vendeve të Quint’it dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, e vlerësuan përkushtimin e Kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës, për një organizim të mirë të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit dhe më këtë rast vlerësuan se Kosova me këto zgjedhje ka bërë një hap përpara në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.