​Ura e re Velipojë – Ulqin, parashikohet të kushtojë rreth 9 milionë euro

Ura e re Velipojë – Ulqin mbi lumin Bunë parashikohet të kushtojë rreth 9 milionë euro, ndërsa do të shkurtojë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në vetëm 1 km.

Lajme

08/06/2022 21:49

Projekti i cili do të finalizohet në muajin gusht, pritet të përfundojë brenda 18 muajve. Projekti u prezantua gjatë takimit të kryeministrit Rama me homologun e tij të Malit të Zi, Dritan Abazoviq në kuadër të punimeve të samitit të “Ballkanit të Hapur”, të mbajtur sot në Ohër.

“Me projektin e urës se re do të kemi një distancë të shkurtuar 73 herë midis 2 vendeve. Ura do jetë 310 m me 3 harqe, është e kategorisë C1, do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat dhe do të ketë 2 korsi dhe pjesë të vendpushimeve. Ura ka një lartësi që lejon kalimin nën të në rastin kur Lumi Bunë do të jetë i hapur për mjetet lundruese. Jemi në fazën e përgatitjes të projektit të detajuar. Brenda 2 muajve do të jetë gati projekti dhe më pas procesi i buxhetimit dhe i prokurimit do të kërkojë 6 muaj, deri në qershor 2023, dhe mund të përfundojë brenda 18 muajsh. Ura parashikohet të kushtojë 9 milionë euro”, tha Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.