UP në krizë financiare, u ndalon rrogat profesorëve me marrëdhënie dyfishtë të punës

Universiteti i Prishtinës (UP) ka sqaruar çështjen e ndërprerjes së marrëdhënies së dyfishtë të punës për drejtorët e klinikave të QKUK-së.

Lajme

23/12/2014 14:20

Sipas një njoftimi për media të UP-së, thuhet se mësimdhënësve u është ndalur paga e plotë, për shkak se të njëjtit kanë aplikuar edhe për drejtorë të klinikave në QKUK.

Sipas këtij njoftimi, UP është duke u përball me krizë financiare, dhe për këtë shkak, kontratë e rregullta për profesorë do të jetë 6 orë në javë.

“Këta mësimdhënës marrëdhënien e rregullt të punës dhe pagën e plotë e kanë në UP dhe paralelisht kanë punuar edhe në QKUK me gjysmë orari dhe me gjysmë page”.

“Në ndërkohë, ata kanë aplikuar për zgjedhje në konkurs publik për drejtorë të klinikave të QKUK-së, dhe njëkohësisht, kanë vazhduar të marrin pagë të plotë edhe në UP”.

“Me këtë rast, UP në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.3, datë 27.09.2004, ka ndaluar pagesën e rregullt të tyre në UP, por nuk ua ka ndryshuar statusin”.

“Lidhur me këtë vendim kemi zhvilluar takim me drejtorin e përgjithshëm të QKUK-së dhe jemi pajtuar të gjejmë një zgjidhje”.

“Jemi pajtuar që, në një të ardhme të afërt, të përcaktohet vendi i punës dhe paga e plotë në QKUK, e cila do të jetë në përputhje me gradën shkencore dhe thirrjen akademike të secilit punonjës. UP është pajtuar që të marrë përsipër pjesën e pagesës për angazhimin në mësim, në përputhje me thirrjen akademike dhe vëllimin e angazhimit”.

“Aktualisht UP ballafaqohet me vështirësi financiare, ndërsa në shumë lëndë në Fakultetin e Mjekësisë janë zgjedhur mësimdhënës me fond jo të plotë të orëve. Për këtë arsye, kontratat e rregullta për secilin mësimdhënës, do të bazohen në rregulloren e Këshillit Drejtues për të ardhura personale nr. 1/104 të datës 9.6.2014. Sipas kësaj rregulloreje norma e ligjëratave për profesorët është 6 orë në javë”.

“Ndërkaq, në Fakultetin e Mjekësisë ka raste kur një profesor paguhet me pagë të plotë pa e përmbushur normën. Madje ka dhe raste kur për një orë në javë janë zgjedhur dhe paguhen me pagë të plotë dy profesorë”, thuhet në njoftimin  UP-së.