UP-ja ua shkëputi kontratat dhjetëra asistentëve të Mjekësisë

Studentët e dy drejtimeve, Infermieri dhe Mami, të Fakultetit të Mjekësisë, nuk e kanë ndjekur asnjë ligjëratë profesionale këtë semestër, pasi që stafit të angazhuar (asistentëve) u janë shkëputur kontratat e punës nga Rektorati i UP-së.

Lajme

12/03/2015 07:51

Bëhet fjalë për së paku 30 kontrata të shkëputura të personelit që thirrej si staf akademik, por që kishte të kryer vetëm studime bazike (bachelor), shkruan sot Koha Ditore.

E shkëputja e këtyre kontratave ka nxitur debat të fortë ditëve të fundit.

Rektorati vazhdon ta mbështesë vendimin e vet në ligjshmëri dhe Statut, të cilat precizojnë kushtet e punësimit si staf akademik në Universitet, përcjell koha.net. Kriter themelor është përfundimi me notë të lartë, mbi 8.00 i studimeve të nivelit master dhe vijimi i studimeve të doktoraturës.

Por, një pjesë e këtyre ish-asistentëve janë ankuar në Inspektoratin e Punës, i cili ka sjellë një vendim kontrovers me pritjet e tyre.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sali Ahmeti, ka kërkuar ndihmë për këtë situatë në Ministrin e Arsimit, por këta të fundit nuk kanë dashur të përzihen në punët e UP-së.