UP-ja njofton për tri afate të rregullta e dy shtesë të provimeve
Zyra për Informim e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka informuar studentët se për vitin akademik 2015/2016 do të këtë tri afate të rregullta të provimeve dhe dy shtesë.

Lajme
Po ashtu kjo zyrë nëpërmjet një sqarimi ka informuar studentët edhe për regjistrimin e vitit akademik.
Sqarimi i plotë i Zyrës për Informim lidhur me kërkesat e studentëve të UP
Të dashur studentë, duke ju dëshiruar një fillim të mbar të vitit akademik 2015/2016, dhe duke marrë në konsideratë shqetësimet e juaja, ju sqarojmë sa vijon:
1. Afatet e provimeve janë të rregulluara me Statutin e UP. Në nenin 111 pika 2, shkruan shumë qartë: janar, qershor dhe shtator. Nuk shkruan tetor sepse, sipas nenit 139 të statutit, mësimi fillon më 1 tetor. Përkundër kësaj, me vendimin e Senatit nr. 2/792 të datës 8.12.2014 ne kemi tejkaluar Statutin, sepse kemi lejuar dy afate shtesë që nuk janë për kusht: nëntorin dhe prillin. Por, do të jemi të kujdesshëm që për shkak të afateve shtesë të mos dëmtohet mësimi. Nëntori dhe prilli do të zgjasin një javë dhe mësimi i humbur do të kompensohet në fund të semestrit përkatës. Ky vendim është në fuqi dhe do të përkushtohemi që kështu të jetë edhe në statutin e ardhshëm të UP.
2. Kushti për regjistrimin e vitit vijues është rregulluar me neni 149 pika 1 e statutit të UP: Përfundimi me sukses i vitit në pajtim me programin e studimit është parakusht që studenti të regjistrohet në vitin tjetër. Vitin e kaluar, me vendimin nr. 2/791 datë 8.12.2014 kemi vendosur të tejkalojmë Statutin dhe kushti për kalim nga viti i parë në të dytin të jetë një provim i pa dhënë, kurse kushti për kalim nga viti i dytë në të tretin të jetë dy provime të pa dhëna. Ky vendim është në fuqi dhe do të përkushtohemi që kështu të jetë edhe në statutin e ardhshëm të UP. Zbatimi i këtij vendimi bëhet suksesivisht, d.m.th. këtë vit vetëm për vitin e parë kurse nga viti i ardhshëm shkollor edhe për vitin e dytë.
3. Në mbledhjen e Senatit të UP të datës 2.3.2015 edhe një herë është debatuar për vendimet nr. 2/791 dhe nr. 2/792. Për t’i dhënë fund një praktike e cila vazhdon në UP që nga paslufta, Senati i UP-së në përbërje të plotë (Dekanë, Senatorë dhe Studentë Senatorë) unanimisht dhe pa asnjë votë kundër vendosi që në të ardhmen të mos procedohet asnjë kërkesë e cila bie ndesh me Ligjin mbi Arsimin e Lartë dhe Statutin e UP-së. /lajmi.net