UP-ja, gati e 5 mijta në botë për nga cilësia

Renditët në vendin e 4 mijë e 987 për nga cilësia dhe nga kjo renditje nuk po lëviz tash e një kohë. Universiteti i Prishtinës, edhe pse i ka bërë 45 vjet prej themelimit, gjatë tërë aktiviteteve të tij njihet si institucioni që më së shumti ka qenë nën trysninë e politikës.

Lajme

03/03/2015 19:38

Së fundmi, as studentët nuk po e kursejnë. Me kërkesa të vazhdueshme, madje edhe jashtë statutit dhe ligjeve në fuqi për Arsimin e Lartë, po ndikojnë që shpeshherë të thyhet parimi për një institucion të mirëfilltë të dijes, raporton KTV.

Ditët e fundit, në numër mjaft të vogël, disa studentë kërkuan që afati i prillit, i cili nuk është fare i paraparë në statutin e UP-së, të ketë dy provime.

Të gjendur përballë presionit, senatorët e UP-së në përbërje edhe të disa studentëve votuan pro kërkesës që prilli të ketë dy afate, transmeton Koha.net.

Durim Berisha, këshilltar i rektorit Ramadan Zejnullahu, në intervistën e së hënës në emisionin Interaktiv të KTV-së e pranoi se ky veprim është komplet shkelje e ligjit, por në njëfarë mënyrë kjo çështje është e trashëguar nga menaxhmentet e kaluara.