Uniteti i Ukrainës, i vështirë

Ukraina ka filluar bisedimet për unitet kombëtar pa pjesëmarrjen e separatistëve pro-rusë, të cilët javën e kaluar organizuan referendumin për “vetëqeverisje”, ndërsa të dilenë që vjen pritet të mbajnë një referendum tjetër, ku qytetarët do të pyetën nëse e mbështesin apo jo bashkimin me Rusinë.

Bota

15/05/2014 13:26

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov ka thënë se qeveria e tij është gati për dialog. Por ai ka këmbëngulur se Kievi nuk do të diskutojë me separatistët që kanë zaptuar ndërtesat qeveritare pranë kufirit me Rusinë.

Bisedimet, të cilat u hapën pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, zhvillohen në kuadër të planit të mbështetur nga Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Analistët, Sipas VOA, vlerësojnë se përjashtimi i separatistëve vë në pikëpyetje efektivitetin e bisedimeve për të qetësuar tensionet që kërcënojnë të përçajnë vendin.

Separatistët, të cilët shpallën “sovranitetin” në dy rajonet lindore këtë javë, i hodhën poshtë bisedimet e Kievit.

Udhëheqësi i kryengritësve, Denis Pushilin ka thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press se bisedime të kësaj natyre duhet të zhvillohen në lindje të vendit.

“Nëse shkojmë në Kiev, do të na arrestojnë,” ka thënë Pushilin.

Perëndimi ka vënë sanksione kundër Rusisë, si nxitëse e ndarjes së Ukrainës. Në muajin mars krahina e Krimesë shpalli pavarësinë dhe më pas iu bashkua Rusisë. Pas aneksimit të Krimesë, Rusia akuzohet se po nxitë separatistët rusë që ashtu si Krimea të veprojnë edhe me rajonet Luhansk dhe Donetsk.