UNICEF: Në Jemen çdo ditë janë vrarë ose plagosur 8 fëmijë
Në deklaratën e UNICEF theksohet se sistemi i shëndetësisë në këtë vend është shkatërruar plotësisht, është rritur kequshqyerja tek fëmijët, janë mbyllur shumë shkolla dhe vazhdimisht rritet numri i të rinjve me armë në dorë.

Bota
Në Jemen, në ditë vriten apo plagosen tetë fëmijë, sipas të dhënave të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), raporton Anadolu Agency.
Raporti i UNICEF-it thekson se në katër muajt e fundit, janë vrarë rreth 400 fëmijë, kurse 600 u plagosën dhe kanë mbetur me aftësi të ndryshme invaliditeti.
Gjithashtu theksohet se sistemi i shëndetësisë në këtë vend është shkatërruar plotësisht, është rritur kequshqyerja tek fëmijët, janë mbyllur shumë shkolla dhe vazhdimisht rritet numri i të rinjve me armë në dorë.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Jemen, Julien Harneis tha se konflikti paraqet një tragjedi të veçantë për fëmijët.
“Është numri shumë i madh i të miturve që janë vrarë si pasojë e konfliktit të armatosur në këtë vend. Shumë prej tyre i mbijetojnë këtyre sulmeve, por më vonë ballafaqohen me probleme tjera. Mungon ushqimi dhe janë të pranishme sëmundje të ndryshme. Është e domosdoshme që të parandalohet kjo tragjedi”, tha ai.
Sipas disa të dhënave, më shumë se 10 milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare.