Unë jam Kryetari
Ragip Begaj është i bindur se do të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve në Malishevë. Ai është i kënaqur me rezultatin, mirëpo ka pritur të fitojë pa balotazh.

Lajme
Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, nga Iniciativa Qytetare, Ragip Begaj është i bindur në fitore në garën e balotazhit që do të zhvillohet më 1 dhjetor.
Ai ka pritur që dilema për Komunën e Malishevës të zgjidhet qysh në raundin e parë, por është shprehur i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Në rezultatet preliminare të dala nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ragip Begaj është radhitur i pari me 42.19 % të votave, ndërsa kandidati tjetër që do ta sfidojë në balotazh, Sali Morina nga LDK, kishte siguruar 25.81% të elektoratit. Kandidati tjetër, Isni Kliaj nga radhët e PDK`së i cili synonte një mandat të tretë në këtë komunë nuk arriti as të futet në dyshen më të mirë duke marrë vetëm 25.71% të votave.
Në një bisedë për “Epoka e Re”, Begaj ka thënë se do ta mposhtë kundërkandidatin e tij Sali Morina.
“Në bazë të analizave dhe takimeve me qytetarë, mund të them se kemi pritur të fitojmë më shumë vota”.
“Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit ka qenë i kënaqshëm. Personalisht kam pritur se do ta fitojmë Malishevën pa balotazh. Sidoqoftë, ky rezultat është një fitore e madhe për IQM-në dhe qytetarët e Malishevës”.
“Pasi qytetarët më kanë përkrahur jam i bindur se për katër vjetët e ardhshëm do ta qeverisim Malishevën”.
“Qytetarët do ta mposhtin, jo unë. Qytetarët e Malishevës do ta japin besimin për IQM-në ashtu siç e kanë përkrahur fuqishëm në raundin e parë të zgjedhjeve”.
Begaj gjithashtu ka thënë se do të bëjë koalicione por jo me parti politike.
“Do të bëjmë koalicion me qytetarët e Malishevës. Pres përkrahje prej të gjithëve. Jam shumë i bindur se do të dalim edhe më të fuqishëm”.
Në qoftë se fiton Begaj në balotazh ai nuk do t`ia mbyllë derën asnjë partie. Ai është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me secilën parti pa përjashtuar këtu edhe partinë e tij të vjetër.
Gjithashtu Begaj nuk ka lënë pa përmendur edhe kontributin e Fatmir Limaj në fitoren e kësaj Iniciative në Komunën e Malishevës.
“Fatmir Limaj na ka ndihmuar shumë. Kontributi i tij është i madh për fitoren tonë”, tha Ragip Begaj për “Epoka e Re”.