Ulza, komuna e cila premton një turizëm gjatë gjithë vitit
Turizmi malor është shumë pak i zhvilluar në Shqipëri. Megjithëse resurset janë të panumërta dhe mbresëlënëse, mungon infrastruktura, guidat apo njësitë e akomdomit, mungesa këto që largojnë turistët vendas dhe ata të huaj.

Lajme
Thethi, Valbona, Liqenet e Lurës janë pikat më të bukura turistike të Shqipërisë së Veriut, por ka edhe disa zona të panjohura, që kanë nisur të vizitohen gjithnjë e më shumë vitet e fundit. E tillë është Ulza, një komunë e vogël e rrethit të Matit, por që karakterizohet nga një bukuri përrallore, e vendosur mes liqenesh e pyjesh të gjelbëruara.
Ulza njihet më tepër për nga hidrocentrali që është ngritur aty që në vitin 1957, por vlerat e saj turistike dhe natyrore kanë nisur të njihen shumë vonë. Megjithatë ashtu sikurse thotë një shprehje e vjetër; se kurrë nuk është vonë për t’ia filluar, edhe banorët e Ulzës në koordinim me pushtetin vendor po bëjnë përçapjet e para për ta promovuar turizmin e zonës së tyre, e pse jo për ta kthyer atë në një ndër destinacionet turistike me të vizitueshme të veriut të Shqipërisë.
Prej dy vitesh zona gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal, dhe është e mbrojtur nga shteti. Artan Mize, kryetar i Organizatës ‘Miqësia Ulëz’ thotë se Ulza ofron shumë mundësi për turizëm, ku mbizotërojnë kryesisht peisazhet panoramike.
Nuk ka fluks turistësh por vizitorët janë gjithnjë në rritje. Kryesisht Parku vizitohet në pranverë dhe në verë, dhe vitin e fundit kanë ardhur rreth 300 turistë të huaj dhe shqiptarë.
‘Ka qenë jashtëzakonisht në rritje fluksi i turistëve. Ulza bëri dy vjet që u shpall si Park Natyror Rajonal dhe nga koha kur është shpallur ka ardhur në rritje. Unë e shoh sivjet që interesi është shumë më i madh. Ne vitin e parë mund të merrnim njerëz që të organizonim panaire, por sot na ofrohen vetë. Ka dhe të huaj. Ne kryesisht bëjmë shëtitje me varkë, me kanoe, lart kemi edhe varkat (te liqeni). Ulza ka nevojë për tu promovuar dhe ne në vitin e 4-ët të projektit këtë temë do të prekim ; është puna e guidave për të gjithë zonën dhe njëkohësisht zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, kryesisht familjar se edhe kapacitetet e zonës nuk janë dhe aq të fuqishme që të ofrojmë një turizëm shumë të zhvilluar. Normalisht që na duhet ndihma e shtetit, pasi edhe pika konkrete ku ne jemi e kemi promovuar si pikë të turizmit familjar, dhe totalisht janë investime private, çdo gjë që është arritur këtu është bërë me investime private. Pra mundësia e zhvillimit të turizmit këtu nëpërmjet familjeve është shumë e vështirë dhe e pamundur, pra duhet një ndihmë nga shteti, normalisht që duhet. Këtu turistët kanë ardhur vazhdimisht, edhe në kohën e mëparshme kur ishte hidrocentrali, vinin ish/ambasadat e huaja që kanë qenë në atë kohë. Numri mund të shkojë nga 200 deri në 300, dhe vijnë edhe me kampingje,” tha Artan Mize, kryetar i Organizatës ‘Miqësia Ulëz’.
Në Ulzë mund të shëtitësh edhe me varka apo kanoe përgjatë lumenjve të zonës. Banorët brenda mundësive të tyre financiare kanë sajuar disa varka prej druri, me të cilat shëtitin turistët, kundrejt një pagese prej 4 mijë lekësh për një xhiro (30 euro) ndërsa varka mban deri në 6 persona.
Gratë e Ulzës shquhen jo vetëm për bukurinë e egër malsore, por edhe si amvise shumë të mira, me duar të arta, jo vetëm në gatim por edhe në qëndisma dhe punime të shumta artizanale që ato i ekspozojnë në panairet e pakta të zonës. Dava Gjoni nga Ulza na tregon disa nga punimet e saj, dhe vështirësitë që ka për ti shitur.
“Të gjitha këto i kam bërë vetë, të gjitha. Unë i shes në Sarandë punimet e mia, pasi kam martuar vajzën atje dhe mi shet vajza. Më tepër tërhiqen ato me rruaza. Për shembull një palë papuçe unë i bëj për dy ditë, dhe i shes 500 lekë të reja (3 euro). Kjo që është për fëmijë unë e shes 1 mijë lekë të reja (7 euro). Nuk kam gjetur vend për të shkuar në panaire, sepse nuk kam pasur mundësi që të lidhem (kontakte). Komuna më ka ndihmuar për panairin. Shumica e grave këtu në Ulzë merren me punime dore. Unë kam tre vajza por shumë pak dinë nga këto punime, jo se nuk kanë dëshirë por s’kanë kohë se kanë vazhduar shkollat e larta, por nuk do humbi kjo traditë, jo nuk do humb,” thotë Dava Gjoni.
Gatimet tradicionale të zonës Ulzë, janë tavë peshku, nga liqeni i Ulzës, bukë e bërë vetë me misër, byrek,raki rrushi dhe thane, tollum, kek e ëmbëlsira të tjera. Por në kuzhinën e tyre gratë përdorin shumë edhe bimët aromatike, medicinale që i mbledhin vetë nëpër male.
Edhe veshja popullore tradicionale e Ulzës është mjaft e veçantë, si për meshkujt dhe për vajzat. Dominon ngjyra e kuqe dhe lulet e shumta që simbolizojnë pranverën. Edhe pse është e vjetër sa nuk numërohet, kjo veshje është trashëguar brez pasa brezi dhe nuset e ditëve të sotme e veshin me shumë dashuri nëpër festa të ndryshme. Ridavana një nga vajzat e komunës, thotë se ndihet krenare kur e vesh këtë kostum popullor.
“Veshja është e trashëguar brez pas brezi, e kemi trashëguar nga gjyshërit prej shumë brezash. I veshim nëpër dasma e festa. Edhe nusja pas vellos vesh edhe këtë veshje tradicionale. Fillimisht mu duk pak e çuditshme por ndihem mirë kur e vesh dhe shumë krenare, që e kemi trashëguar”, thotë Ridvana Mize, një vajzë nga Ulza.
Pushteti vendor është i vetëdijshëm që shumë pak është bërë për zhvillimin e turizmit në Ulzë, por projektet nuk mungojnë. Për festën e Shën Markut, Ulzën e vizitoi edhe Adelina Farrici, kryetare e Bashkisë së Burrelit e cila na tha se një nga prioritet e zhvillimit ekonomik të zonës është turizmi dhe kryesisht turizmi malor, dhe se e vetmja gjë që duhet është mirëmenaxhimi dhe mirëadministrimi i këtyre resurseve dhe mirëmbajtja e tyre.
“Ka resurse të mëdha e vetmja gjë që duhet është mirëadministrimi dhe mirëmenaxhimi i këtyre resurseve. Dhe në fakt kjo është një punë e ngritur, thjesht duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë punë pasi komuna në bashkëpunim edhe me organizatën kanë ngritur ekipe dhe komisione në çdo fshat për mirëmbajtjen e pyjeve, dhe kjo pikë do të jetë ndoshta një atraksion kombëtar. Besoj ju të gjithë e keni parë kur vini nga Tirana për këtej, është një perlë dhe dhe e vetmja gjë që duhet të bëjmë ne së bashku me ju si media por edhe me një zyrë të promovimit të turizmit që është hapur në bashkinë Burrel dhe do vazhdojë të funksionojë, të promovojmë pikërisht këtë gjë. Kemi dhe guidën e sapo nisur por gjërat kanë nevojë të zgjerohen,”tha zonja Adelina Farrici.
Peshkimi është shumë i zakonshëm në Liqenin e Ulzës, e për më tepër një punësim mjaft i mirë i peshkatarëve të zonës të cilët kapin deri në 15 kg peshk në ditë dhe e tregtojnë në restorante të ndryshme. Gjon Riza, kryetar i Organizatës së Peshkimit Ulzë; thotë se peshkimi është i mirëorganizuar në këtë zonë ku respektohen rigorozisht rregullat e gjuetisë.
“Peshkatarët, grupi përbëhet nga 5 apo 6 vetë, pra janë rreth 50 peshkatarë, aktualisht sot për sot. Në ditë normale shkon 5 apo 6 kg kapja e peshkut, edhe deri në 15 kg peshk, por ndonjë ditë edhe më shumë, ku pas shtimit të peshkut që del nëpër gryka zëmë edhe më shumë. Peshkun e shesim, janë hallexhinj njerëzit. Ne e tregtojmë nëpër lokale; për familjarët, vijnë e marrin. Po peshkimi është punësim këtu sepse nuk kanë ku të punëosohen tjetër, përveç pyjeve. Liqeni i Ulzës peshk autokton ka nilën, mlyshin; kurse peshk të ardhur si rasat është ballgjani, krapi; që shkon deri në 6 mijë lekë të vjetra kg, ndërsa nila, mlyshi 3 mijë lekë të vjetra. Ne nga shteti kemi bërë edhe takime edhe kërkesa të veçanta kemi nevojë për rasat. Po të na mbështes me rasat këtu nuk do mbeten 50 apo 70 peshkatarë këtu bëhen 100 peshkatarë, po të ketë mbështetjen e rasatit për 2 apo 3 vite shtohen dyfishi i fuqisë punëtore, edhe punësohen, kjo është e gjitha”, thotë Gjoni.
Mes gjelbërimit, ajrit të pastër dhe liqeneve natyrorë, Ulza ofron mundësinë për të kaluar një fundjavë fantastike, sidomos për kryeqytetasit të cilët nuk e kanë aspak larg si destiancion. Ndodhet vetëm 1 orë e 30 minuta larg Tiranës, dhe ‘ftesat’ i ka të hapura për të gjithë. (Kosovapress)