Ulësja në OKB, pas Traktatit me Serbinë

Marrja e ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian mbeten të ndërlidhura ngushtë me marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e raporteve me Serbinë, apo traktatin e paqes. 

Lajme

20/08/2014 09:27

Deri te nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, që besohet se mund të ndodhë diku mes viteve 2018 – 2020, kur Serbia pretendon të bëhet anëtare e BE-së, për Kosovën parashihen pak shpresa që të bëjë diçka më shumë, sidomos në lidhje me marrjen e ulëses në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), shkruan Tribuna.

Analistët politikë preferojnë që Kosova në momentin e duhur të aplikoj për anëtarësim të plotë në OKB dhe kurrsesi për ndonjë status të vendit vëzhgues në Asamblenë e Përgjithshme, sepse një veprim i tillë, konsiderohet se do ta zvarriste tutje marrjen e ulëses që i takon si anëtare e barabartë me vendet tjera në Kombet e Bashkuara.

Po ashtu, aplikimi i Kosovës për ulëse në OKB, parashihet të jetë një proces i koordinuar mirë me faktorin ndërkombëtar dhe i mbështetur me një lobim të fuqishëm diplomatik.

Por, si pengesë kryesore, mbetet Serbia dhe pozicioni i saj kundër njohjes së shtetit të Kosovës që merret më pas si pretekst edhe nga Rusia dhe disa vende tjera kundërshtare të pavarësisë së Kosovës.